Prokuroria: Do të Hetohen Uzurpatorët

Një ditë pas publikimit të emrave të uzurpatorëve të pronave shoqërore, Prokuroria e Shtetit ka paralajmëruar se do të nisë hetimet ndaj personave kanë marrë prona që pa autorizimin e Agjensisë Kosovare të Privatizimit.

“Kushdo që i pa autorizuar, apo në mënyrë të kundërligjshme, ka hyrë në objektet të cilat janë në pronësi të Agjensionit Kosovar të Privatizimit, apo të atyre që kanë lidhur kontratë me AKP-në dhe nuk largohen nga ato objekte sipas kërkesës së personave të autorizuar ndaj tyre do të fillohet procedura penale”, tha për KALLXO.com, zëdhënësi i Prokurorisë së Shtetit Ekrem Lutfiu.

Ai ka thënë se palët e dëmtuara mund t`i drejtohen edhe Gjykatave për kompensimin e dëmit të shkaktuar nga personat që kanë shfrytëzuar pronën e tyre pa autorizim.

“Të gjithë ata persona që janë dëmtuar nga ata që i kanë shfrytëzuar pronat e personave të dëmtuar, mund t`i drejtohen edhe gjykatës për të realizuar dëmin e shkaktuar nëpërmjet padisë për kompensim të dëmit”, ka thënë zëdhënësi Lutfiu.

Dje Agjencia Kosovare e Privatizimit ka publikuar listën prej 170 uzurpatorëve aktualë dhe të mëhershëm të ndërmarrjeve shoqërore.

http://kallxo.com/akp-publikon-uzurpatoret-emra-te-njohur-ne-liste/

Në raportin përmbledhës të publikuar në faqen e AKP-së të aseteve që shfrytëzohen nga uzurpatorët në mesin e totalit prej 170, 116 janë persona fizikë ndërsa 54 persona juridikë.