Prokuroria do të bëjë ekspertizë në foton e publikuar nga Flora Brovina
Një fotografi e publikuar nga deputetja e PDK-së, Flora Brovina të cilën e prezantoi si skenë dhunimi gjatë luftës në Kosovë, do t’i nënshtrohet ekspertizës.
Kështu ka vendosur Prokuroria Speciale, pasi u vënë dyshime mbi autencitetin e fotografisë së publikuar.
Prokurorja Speciale, Drita Hajdari tha për KALLXO.com se do të bëhet krahasimi i fotografisë së prezantuar me ato online.
“Fotografise do t’i bëhet ekspertizë kibernetike nga Agjencia e Forenzikës për të parë autenticitetin e saj dhe krahasuar me fotografitë e shfaqura nga luftërat e Irakut”, tha Hajdari.
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës ka publikuar sot një foto të cilën shihet një grua teksa dhunohet nga disa ushtarë.
Deputetja Flora Brovina këtë fotografi e ka prezantuar si dëshmi të dhunimit të grave gjatë luftës në Kosovë.
Megjithatë, në një kërkim në Google, e njëjta fotografi paraqitet online, madje me një faqe me përmbajtje pornografike.
Fotografia e indeksuar nga Google, del të jetë ngarkuar në disa faqe online që e asocojnë fotografinë me luftën në Irak.
Megjithatë ajo tha se fotografinë e ka qe shumë herët dhe e ka marrë drejtpërdrejt nga familjarët.
“Fotografia është e vërtetë, e kam marr nga familja. Nuk kam imazhe të tjera nga skena e njëjtë. Foton e kam pranu me kontakt. Sot nuk kam fol me familjen por herave të tjera. Nuk është hera e parë që e tregoj fotografinë. Krimet e luftës i dëshmoj në çdo moment jam në dispoziocion”, tha ajo në një lidhje të drejtpërdrejt në RTV Dukagjini.
https://kallxo.com/flora-brovina-insiston-se-fotografia-e-dhunimit-eshte-autentike/