Prokuroria: Bajrush Morina Nesër do të ‘Dëgjohet’ në Polici

Gazetari Bajrush Morina ka ngjallur debat në opinion me një postim në profilin e tij në “Facebook” rreth asaj se kush e ka vrarë Enver Malokun.

Në 19-vjetorin e vrasjes së gazetarit Maloku, Bajrush Morina ka lënë të kuptohet se i dyshuar për këtë vrasje është një deputet i Kuvendit të Kosovës.

Ai nuk ka dhënë më shumë hollësi se për kënd është fjala, por pas një debati me deputetin Milaim Zeka, Morina ia ka hequr “merakun” atij, duke i thënë se i dyshuari nuk është deputet as i LDK-së as i Vetëvendosjes.

“Ne pervjetorin e 19 te vrasjes se intelektualit te guximshem Enver Malokut, kisha dashte me i pa me duar lidhur e te nisur per ne Speciale, nje deputet te Kuvendit te Kosoves dhe bashkeshorten e tij!”, ka shkruar gazetari Bajrush Morina në profilin e tij në “Facebook”.

Për shkak të kësaj deklarate, Bajrush Morina nesër mund të intervistohet në Policinë e Kosovës.

Kështu ka paralajmëruar kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Reshat Millaku, në një prononcim për KALLXO.com.

“Sot vonë e kemi pa deklaratën e zotëri Morinës dhe nesër do të autorizojmë Policinë që ta dëgjojë Bajrush Morinën se kush është ai deputet dhe gruaja e tij”, ka thënë kryeprokurori Millaku për KALLXO.com.