Prokurori Tërhiqet nga Aktakuza për Uzurpim Prone në Deçan

Prokurori Ardian Hajdaraj ka hequr dorë nga ndjekja penale ndaj Afrim Cacajt, nga Deçani, i cili akuzohej për veprën penale uzurpim i paligjshëm i pronës së paluajtshme.

Në fjalën e tij përfundimtare në Gjykatën Themelore të Pejës, dega në Deçan, prokurori i rastit u tërhoq nga aktakuza sepse, sipas tij, në bazë të provave të administruara gjatë procedurës dhe ekspertizës në vendin e ngjarjes rezulton se prona në fjalë nuk është pronë e Manastirit të Deçanit, përfshirë edhe AKP-në dhe Komunën e Deçanit, të konsideruara në këtë rast si palë të dëmtuara.

“Tërhiqemi nga ndjekja penale, nga aktakuza, kundër të akuzuarit Afrim Cacaj nga Deçani, i cili akuzohej për veprën penale – uzurpim i paligjshëm i pronës së paluajtshme”, tha prokurori Hajdaraj.

Në fund, prokurori theksoi se Prokuroria ka arritur të evidentojë vetëm një palë të dëmtuar nga ky rast. Sipas Hajdarajt, i dëmtuar është qytetari Radomir Ivan Petroviq, i cili pretendimet e tij në lidhur me pronën në fjalë mund t’i paraqes në procedurë tjetër dhe atë civile.

Pas tërheqjes së prokurorit nga ndjekja penale, gjykatësi i rastit, Sulltan Dobraj,  automatikisht shpalli aktgjykim refuzues, i cili përfundimisht e liron të akuzuarin Cacaj nga vepra penale e cila i vihej në barrë.

“Gjykata duke u bazuar në nenin 363, paragrafi 1, nënparagrafi 1, bjen aktgjykim refuzues. Me kaq shpallet i përfunduar ky shqyrtim gjyqësor”, deklaroi gjykatësi Dobraj në fund të seancës.

Afrim Cacaj akuzohej nga Prokuroria Themelore e Pejës se në qershor të vitit 2014, në pyllin tek ish-hoteli “Visoki”, në Deçan, ka uzurpuar në mënyrë të paligjshme sipërfaqen e përgjithshme prej 0.56.00 ha, pronë që, sipas Prokurorisë, i takonte Manastirit të Deçanit.

Sipas aktakuzës, në sipërfaqen përkatëse Cacaj kishte ndërtuar një objekt improvizues me shtylla të drurit dhe çati me tjegulla të kuqe.