Prokurori Nuk u Dorëzon Provat Zyrtarëve të Suharekës

Sot ishte dashur të mbahej seanca fillestare ndaj katër zyrtarëve të Suharekës dhe një biznesmeni të akuzuar për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, por seanca nuk u mbajt, ngase të akuzuarit nuk kanë marrë provat e aktakuzës.

Mosmbajtjen e seancës e kërkoi Nadire Hoxha, avokatja e Muharrem Elshanit. Ajo këtë e konfirmoi edhe për KALLXO.com.

“Seanca e sotëm nuk u mbajt, pasi që ne si mbrojte dhe të akuzuarit nuk i kanë pranuar provat materiale nga prokurori dhe kanë pranuar vetëm aktakuzën,” tha avokatja Hoxha.

Prokurori Sefer Morina tha se nuk ka qenë i njoftuar nga gjykata se të akuzuarit kanë pranuar aktakuzën, prandaj edhe nuk  ua ka dorëzuar atyre dhe mbrojtjes provat.

“Meqenëse nga dita e ngritjes së aktakuzës dhe dorëzimit në gjykatë, prokurori nuk ka qenë i njoftuar se të akuzuarit kanë pranuar aktakuzën, ka konsideruar se në momentin kur do të njoftohet se të akuzuarit kanë pranuar aktakuzën, do t’i dorëzojë provat në afat prej 10 ditëve,” tha prokurori Sefer Morina.

Përveç Muharrem Elshanit, pronarit të kompanisë “Unicom”, të akuzuar në këtë proces janë edhe ish-drejtori i Urbanizimit të Komunës së Suharekës Kurtesh Fondaj, drejtori i Inspektoratit Raif Fetiu dhe dy inspektorët e ndërtimit në Komunën e Suharekës-Berat Kabashi dhe Hafir Maliqaj.

Avokatja Nadire Maliqi shprehu habinë se pse i mbrojturi i saj Muharrem Elshani po akuzohet për keqpërdorim të detyrës, apo autoritetit zyrtar, pasi sipas saj Elshani është biznesmen.

“I mbrojturi i im akuzohet për veprën penale keqpërdorim i detyrës zyrtare, ndërsa i njëjti nuk e dimë çfarë detyre zyrtare ka keqpërdorur, pasi që i njëjti është vetëm pronar i firmës që ka ndërtuar objektin dhe kam besim që i njëjti do të shpallet i pafajshëm,” tha avokatja Maliqi.

Por Elshani sipas aktakuzës së prokurorisë ngarkohet si person zyrtar-drejtor i klubit futbollistik “Ballkani”.

Aktakuza e ngarkon Elshanin se ka zhvendosur një pjesë të fushës së këtij ekipi, duke shfrytëzuar për nevoja të kompanisë së tij 16 arë nga kjo fushë. Elshani akuzohet edhe se gjatë ndërtimit të objektit afarist banesor ka përvetësuar sipërfaqen prej 50 metrash katrorë, duke kaluar në bazën e themeltë të objektit në pronësi shoqërore, me ç’rast komunës i shkakton dëme të konsiderueshme.

ish-drejtori i Urbanizimit të Komunës së Suharekës Kurtesh Fondaj akuzohet se më 22 korrik 2013 miratoi dhe aprovoi kushtet e ndërtimit, duke plotësuar dhe ndryshuar aktvendimin e pëlqimit urbanistik dhe kushtet e lokacionit dhe lëshoi leje të re ndërtimi në emër të Muharrem Elshani në kundërshtim me planin urbanistik detal të qytetit.

Ndërsa drejtori i Inspektoratit Raif Fetiu dhe inspektorët e ndërtimit Hafir Maliqaj dhe Berat Kabashi akuzohen se prej muajit korrik 2013 deri në muajin prill 2015 me qëllim ia mundësojnë Muharrem Elshanit zhvendosjen e një pjese të fushës së ekipit futbollistik “Ballkani” në sipërfaqe prej 16 arësh dhe hyrjen në pronë shoqërore prej 50 metrash gjatë ndërtimit të një objekti afarist-banesor.

Seanca e ardhshme u caktua më 7 prill, ndërsa prokurori u obligua nga gjykata që të akuzuarit t’i pajisë me provat materiale. [interaction id=”56f54619fda229c634e59310″]