Gjykimi ndaj Inspektorit Farmaceutik

Prokurori nuk shkon në seancën e inspektorit farmaceutik, dështon seanca

Mungesa e prokurorit, bëri që të dështoj seanca gjyqësore ndaj Haki Ejupit, i cili po akuzohet se ka keqpërdorur detyrën zyrtare, si kryeinspektor i Inspektoratit Farmaceutik për Produkte dhe Pajisje Medicinale.

Ejupi akuzohet se me veprimet e tij i ka shkaktuar dëm buxhetit të Qeverisë së Republikës së  Kosovës në shumë prej mbi 76 mijë eurove.

Kryetari i trupit gjykues, Hamdi Ibrahimi ka deklaruar se ftesa prokurorit i është dërguar, dhe se Gjykata ka prova që prokurori Fetih Tunuzliu është ftuar në mënyrë të rregullt, por i njëjti mungesën e tij nuk e ka arsyetuar.

Të pranishëm në këtë seancë ishin, i akuzuari Haki Ejupi, si dhe dëshmitarët Basri Rexha e Rifat Muriqi.

Seanca e radhës është caktuar me 23 prill.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Haki  Ejupi akuzohet  se e  ka dëmtuar buxhetin e Qeverisë së Republikës së Kosovës në shumë prej 76.425.00 euro, duke mos i përmbushur detyrat zyrtare si kryeinspektor i Inspektoratit Farmaceutik për Produkte dhe Pajisje Medicinale.

Në aktakuzë thuhet se Haki Ejupi prej gushtit 2009 deri në shkurt 2012, nuk ka respektuar kompetencat nga pika 2 e Udhëzimi Administrativ me numër 08/2009 të IFPPM-së.

Sipas aktakuzës, Ejupi nuk e ka mbikëqyrur ekzekutimin e gjobave të shqiptuara nga inspektorët farmaceutik, e të pa-inkasuara nga qarkulluesit farmaceutikë dhe për pasojë ka shkaktuar dëm buxhetit të Qeverisë së Republikës së Kosovës në shumë prej 76.425.00 euro.