Prokurori nuk Mund ta Gjejë Lëndën

Gjyqtari e ftoi edhe me telefon prokurorin që të vijë në seancë, por prokurori i tha atij se “nuk po mundet me gjetë lëndën”.

Për mungesë të prokurorit, gjyqtari shtyu seancën.

Besnik Beqiri akuzohet për mashtrim dhe lajmërime të rreme.

Sipas prokurorisë, Beqiri më datën 31 qershor 2010 e ka sjellë në lajthim të dëmtuarin Agron Hajzerin duke  i premtuar se do t’ia rregullonte vizën italiane “Songjorno” me vlerë të përgjithshme prej 1800 eurove.

Prokuroria precizon se i pandehuri, pa ia kryer shërbimn për vizën ia kishte marrë të dëmtuarit 250 euro, ndërsa kur i dëmtuari kishte takuar të akuzuarin për t’i kthyer paratë e tij, familja e të akuzuarit kishin lajmëruar në polici rrëmbimin e Besnik Beqirit.

Policia më pas i kishte gjetur të pandehurin dhe të dëmtuarin dhe i kishte shoqëruar në polici, ndërsa prokuroria për këto veprime Beqirin e akuzon për mashtrim.

Prokuroria pretendon se pasi Beqiri nuk kishte 250 eurot e marra nga i dëmtuari për rregullim të vizës italiane, kishte thirrur në telefon babanë e tij duke e gënjyer se e kishin rrëmbyer dhe po i kërkonin 300 euro për lirimin e tij.

Pastaj babai i Beqirit, duke mos e ditur të vërtetën kishte lajmëruar në polici rastin e rrëmbimit të djalit të tij. Për këtë arsye Besnik Beqiri akuzohet edhe për lajmërime të rrejshme.

Seanca e pazhvilluar sot është shtyrë për 28 janar.