Ilustrim

Prokurori në trajnim në Budvë, dështon seanca ndaj të akuzuarit për vrasje

Në gjykatën e Mitrovicës ka dështuar të mbahet seanca e gjykimit ndaj të akuzuarit Miqa Uroshqeviq.

Arsye për mos-mbajtjen e kësaj seance ishte mungesa e prokurorit Ismet Ujkani, i cili paraprakisht kishte njoftuar Gjykatën se nuk do të ketë mundësi të paraqitet në seancë për shkak se ishte në një seminar në Budva.

Andaj gjykatësi i rastit Tomislav Petroviq ka njoftuar se nuk janë plotësuar kushtet për mbajtjen e kësaj seance, raporton KALLXO.

Seanca e radhës u caktua të mbahet me 13 nëntor, në këtë Gjykatë.

Ndryshe Miqa Uroshqeviq nga prokuroria e Mitrovicës akuzohet për tri vepra penale.

Sipas akuzës Uroshqeviq në dhjetor të vitit 2017 në Mitrovicë – veri kishte privuar nga jeta të dëmtuarin – tani të ndjerin Dejan Steljiq.

Dy të lartcekurit paraprakisht kishin pasur një fjalosje, ndërsa Uroshqeviq, i cili kishte qenë i pajisur me armë – revolver, kishte shtënë pesë herë në tani të ndjerin Dejan Steljiq.

Steljiq ishte goditur nga predhat katër herë në trup, ndërsa pas plagëve të marra kishte mbetur i vdekur në vendin e ngjarjes, thuhet në akuzën e prokurorisë.

Më këtë Uroshqeviq akuzohet se ka kryer veprën penale vrasje.

Ndërsa për shkak të posedimit të armës në kundërshtim me Ligjin për armët në Kosovë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.

Miqa Uroshqeviq po ashtu akuzohet edhe për veprën penale legalizim i përmbajtjes së rreme, raporton KALLXO.

Më këtë vepër ngarkohet pasi që sipas prokurorisë në gusht të vitit 2014 ai kishte vënë në lajthim zyrtarin H.A. zëvendës-koordinator në Zyrën Administrative në lagjen e Boshnjakëve në Mitrovicën e veriut.

Uroshqeviq i kishte prezantuar zyrtarit ekstraktin e lindjes në emër të Darko Peroviq me shënime personale si në ekstraktin e lindjes që ishte lëshuar nga zyra e gjendjes civile në Zubin Potok. Sipas aktakuzës ai më pas ishte fotografuar dhe të njëjtit i është lëshuar letërnjoftimi si shtetas i Republikës së Kosovës, në emër të Darko Peroviq.

Seancat e radhës ndaj këtij të pandehuri pritet të vazhdoj më 13 nëntor, ashtu siç edhe u caktua nga ana e gjykatësit Tomislav Petroviq.