Seanca per grabitje- Mitrovice
Prokurori në trajnim, dështon seanca ndaj të akuzuarve për grabitjen e 'Al Petrol' dhe 'Kosova Petrol'
Seanca e paraparë të mbahej sot në Gjykatën e Mitrovicës kundër të akuzuarve Fitim Imeri, Ramë Baliu dhe Jahir Xhafa ka dështuar.
Arsye e mos-mbajtjes së seancës ishte mungesa e prokurorit Ismet Ujkani, i cili gjendej në një trajnim profesional në Budvë – Mal i Zi.
Gjykatësi i rastit, Burim Ademi ka thënë se Gjykata është në dijeni se prokurori Ujkani gjendet në trajtim profesional në Budvë të Malit të Zi, andaj sipas tij, nuk ka kushte ligjore për mbajtjen e seancës.
Ademi po ashtu njoftoi se nuk do të mbahet as seanca e paraparë për nesër 9 nëntor.
Në Gjykatë kanë prezantuar të pandehurit dhe mbrojtësit e tyre avokatja Fatmire Braha, dhe avokatët Berat Peci e Nexhat Beqiri.
Ndryshe Prokuroria e atëhershme Publike e Qarkut akuzon Fitim Imerin, Ramë Baliun dhe Jahir Xhafajn për kryerjen e veprës penale të grabitjes, së bashku me këta të tre është i akuzuar edhe Shaqir Sadiku, por ky i fundit e kishte pranuar fajësinë për këtë vepër që në seancën e shqyrtimit fillestar.
Sipas akuzës të lartcekurit në dhjetor të vitit 2011 në pompën e benzinës “Al Petrol“, e cila gjendet në rrugën magjistrale Mitrovicë – Prishtinë në hyrje të Vushtrrisë, së bashku duke vepruar si anëtarë me qëllim të përftimit të dobisë pasurore kanë kryer veprën penale të grabitjes, raporton KALLXO.
Sipas akuzës veprimi ishte kryer pasi që të pandehurit Fitim Imeri dhe Shaqir Sadiku kanë hyrë brenda objektit të pompës së benzinës “Al Petrol“ pronë Adnan Bajramit.
Shaqiri dhe Imeri kishin vendosur maska në fytyrë, ndërsa ky i fundit kishte mbajtur pushkë automatike në dorë dhe të njëjtën ia kishte drejtuar të dëmtuarit Sejdi Hajdari dhe Blerim Smakolli, punëtorë të pompës së benzinës “Al Petrol“ duke ju kërcënuar e duke i thënë “Qitni paret n’daqi mos me vdek“, thuhet në akuzë.
Sipas aktakuzës, derisa të lartcekurit ishin brenda duke u ruajtur nga Jahir Xhafa dhe Ramë Baliu kanë arritur që nga të dëmtuarit të grabitin 590 euro dhe dy telefona në vlerë prej 125 euro, raporton KALLXO.
Të akuzuarit me pas ishin larguar nga vendi i ngjarjes duke i ndarë në mes vete paratë e marra, thuhet në aktakuzë.
Në të njëjtin muaj Fitim Imeri dhe Shaqir Sadiku kishin hyrë në pompën e benzinës “Kosova Petrol“, pronë e Bedri Selmanit e cila gjendej në rrugën magjistrale Mitrovicë – Prishtinë, gjithashtu në hyrje të Vushtrrisë.
Në aktakuzë theksohet se Fitim Imeri kishte armë automatike dhe Shaqir Sadiku një kaçavidë dhe kanë hyrë brenda në lokalin e benzinës duke e kërcënuar punëtorin Shefik Zeneli, të cilit Fitim Imeri ia kishte drejtuar tytën e armës automatike, më pas e godet dhe fillon t`i fut duart në gjepa ku i merr 90 euro dhe një telefon e më pas largohen nga vendi i ngjarjes.
Me veprimet e lartcekura siç thuhet në aktakuzë, të akuzuarit dyshohen se kanë kryer veprën penale rastet e rënda të vjedhjes grabitqare apo të grabitjes nga neni 256 par.1 lidhur me veprën penale Grabitje.
Po ashtu Fitim Imeri në janar të vitit 2012 kishte hyrë në dyqanin “DPT Remi“ në Smrekonicë ku i maskuar dhe i armatosur i kishte kërkuar punëtores Adelina Veseli para, ndërsa pas rezistimit të saj e godet atë me tytën e pushkës automatike duke i shkaktuar lëndime trupore, me pas largohet nga vendi i ngjarjes, thuhet në aktakuzë.
Fitim Imeri sipas aktakuzës, pasi që kishte pasur në posedim pushkë automatike, i njëjti akuzohet se kanë kryer veprën penale mbajtja në pronësi, kontroll ose shfrytëzim të paautorizuar të armëve.
Seancat e radhës, u caktuan të mbahen më 12 dhe 13 nëntor 2018.