Gjykimi per narkotike 16.04.2019

Prokurori në seminar, dështon seanca ndaj të akuzuarve për drogë

Seanca e gjykimit ndaj të akuzuarve Bledjan Xhepi, Suljot Sylejmani, Afrim Ala dhe Kenan Gashi ka dështuar të mbahet në gjykatën e Mitrovicës.

Arsye e këtij dështimi ishte mungesa e prokurorit të rastit Ismet Ujkani dhe dy avokatëve mbrojtës Ljubomir Pantoviq dhe Gani Rexha.

Në seancë ishin të pandehurit Bledjan Xhepi, Suljot Sylejmani, Afrim Ala dhe Kenan Gashi, si dhe avokatët Mahmut Halimi dhe Vehbi Beqiri.

Kryetari i trupit gjykues Sinisha Mandushiq ka njoftuar palët se prokurori i rastit Ismet Ujkani e kishte njoftuar me shkrim se nuk do të mund të prezantonte në seancë për shkak se ishte në një seminar në Shqipëri, ndërsa avokati Ljubomir Pantoviq e kishte njoftuar paraprakisht gjykatën se kishte rast vdekje.

Kurse për avokatin Gani Rexha gjykatësi Sinisha Mandushiq ka thënë se nuk e ka njoftuar gjykatën për mosprezencen e tij dhe i njëjti u dënua me gjobë 250 euro për mungesë në seancë.

Ndërsa ky dënim mund të tërhiqet nga ana e gjykatës nëse avokati Rexha sjell arsyetimin për mos ardhjen e tij në seancë.

Kurse avokati Mahmut Halimi i cili në këtë rast e mbron të akuzuarin Bledjan Xhepi ka ripërseritur kërkesën e tij për ndërprerjen e masës së paraburgimit për të mbrojturin e tij.

Halimi gjithashtu ka shprehur pakënaqësinë e tij për mos plotësimin e kushteve ligjore për mbajtjen e seancës.

‘’Dua ta shpreh shqetësimin tim për këto shtyerje të një pas njëshme në veqanti për faktin se klienti im Bledjan Xhepi që një kohë të gjatë gjendet nën masën e paraburgimit dhe kohët e fundit kryesisht është duke pësuar për shkak të shtyrjeve të paarsyeshme të shqyrtimeve gjyqësore, gjithashtu nuk mund ta kuptoj një organizat siç është OSCE të organizoj seminare në brendi të javës së punës kur dihet se individ të ndryshëm, përsona të ndryshëm ndodhen nën masa të paraburgimit siç është edhe klienti im“, ka thënë Halimi.

Halimi ka përsëritur kërkesën e tij para trupit gjykues për ndërprerjen e masës së paraburgimit ndaj klienti të tij por këtë me aktvendim e ka refuzuar trupi gjykues.

“Me duhet ta hudhë kërkesën e juaj për ndërprerjen e paraburgimit për shkak që i pandehuri është nga Republika tjetër (Shqipëria) dhe akskush nuk jep ndonjë siguri që ai do të jetë prezent në seancat tjera, shpresoj se në shqyrtimit e radhës të cilin do ta caktojmë, të gjithë të jenë prezent dhe atëherë do të mund ta ndërprejmë masën, do të mundohemi që në shqyrtimin e radhës ta rregullojmë“, ka thënë gjykatësi Mandushiq.

Me këtë për shkak të mos plotësimit të kushteve ligjore seanca është shtyer  për 13 maj.

Akuza

Ndryshe Prokuroria e Mitrovicës akuzon Bledjan Xhepi se në prill të vitit 2018 te Tunelli në Mitrovicë pa autorizim i ka shitur substanca narkotike të llojit marihuanë të pandehurit Suljot Sylejmani.

Sipas akuzës sasia e shitur ishte 5 kg e 445.9 gram marihuanë, të cilën i pandehuri Bledjan Xhepi ia kishte shitur tashmë të pandehurit tjetër Sylejmani në vlerë prej 1700 euro.

Me këtë akuzohet se ka kryer veprën penale blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotropike dhe analoge.

Ndërsa të pandehurit Suljot Sylejmani, Afrim Ala dhe Kenan Gashi akuzohen se si anëtarë grupi pa autorizim janë furnizuar me substanca narkotike dhe të njëjtat i kanë poseduar me qëllim të shitjes dhe shpërndarjes.

Akuza e Prokurorisë thotë se substancën narkotike prej 5.44.9 gramë të cilën i pandehuri Suliot Sylejmani e kishte blerë nga i pandehuri Bledjan Xhepi e kishte poseduar në maj të vitit 2018, dhe nga kontrollet të cilat i kishte bërë policia duke kontrolluar shtëpitë dhe objektet përcjellëse në pronësi të Ilir Sylejmanit në Frashër të Mitrovicës, kishte takuar të pandehurit.

Me këtë rast ishin gjetur dhe konfiskuar substanca narkotike të llojit marihuanë në dhomën ku kanë qenë duke qëndruar të pandehurit, dhe atë dy qese paketime njëra me peshë 55.3 gram dhe tjetra peshë 27.5 gram.

Gjithnjë sipas akuzës kur i pandehuri Suljot Sylejmani në vendin e ngjarjes ishte pyetur nga policët se a ishin në dijeni për substancën narkotike dy të pandehurit Kenan Gashi dhe Afrim Ala, i pandehuri Sylejmani ishte përgjigjur se të njëjtit kishin dijeni për substancën nakrotike pasi që sipas tij ata kishin qëndruar bashkë në objektin ku ishte sasia e drogës.

Ndërsa në objetet përcjellëse ishin gjetur 42.4 gramë, në objektin e banimit ndihmës ishin gjetur dhe konfiskuar 3 paketime të mbështjella me foli të najlonit, ku brenda tyre kishte 10 qese tjera me sasi të vogla të marihuanës e cila pas matjes kishte rezultuar me peshë 521.6 gramë, në katin përdhesë të shtëpisë të mbushur me ushqim të bagetive me kasht dhe terfoi ishin gjetur një qese najloni me marihuanë me peshë 3.795 gramë, dhe një qese najloni ku brenda ka pasur 19 paketime me qese të vogla me sasi të marihuanës e cila pas matjes ka rezultuar me peshë rreth 1.004.1 gramë, e gjithsejt me peshë 5.445.9 gramë.

Kurse pas ekzaminimit laboratorik rezultati i ekspertit ka treguar se është prezent kanabisi (marihuana) që e përmban Tetrahidrokanabinol (THC).

Me këtë akuzohen se kanë kryer veprën penale blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge.