Foto: Kallxo.com

Prokurori në seminar, dështon gjykimi për marrje ryshfeti nga zyrtari i Komunës së Kamenicës

Ka dështuar të mbahet gjykimi ndaj Sadullah Dërmakut, inspektor i komunikacionit në Komunën e Kamenicës, i cili po akuzohet për veprën penale marrje ryshfeti.

Trupi gjykues në përbërje me kryetarin Zyhdi Haziri, anëtarët, Venhar Salihu dhe Sabedin Mushica njoftoi se mungesa e prokurorit Agron Uka, bëri që seanca të shtyhet.

Kryetari i trupit gjykues, Zyhdi Haziri, njoftoi se prokurori në fjalë e ka dorëzuar sot një parashtresë, si dhe emailin e ftesës ku thuhet se ka një seminar për ndihmë juridike ndërkombëtare në Prishtinë.

Gjyqtari Zyhdi Haziri, më tej njoftoi se prokurori Uka, nuk kishte lajmëruar më parë Gjykatën për shtyrjen apo mos shtyrjen e seancës, duke sqaruar se sipas rregullave të Këshillit Prokurorial e Këshillit Gjyqësor të Kosovës janë të obliguar për ta bërë një gjë të tillë, sidomos duke pasur në konsideratë për rastet që janë me prioritet.

Përveç prokurorit Agron Uka, të pranishëm ishin i akuzuari Sahullah Dërmaku dhe mbrojtësit e tij, Shemsedin Piraj dhe Hamdi Jashari. Po ashtu prezent ishin i dëmtuari Besnik Shabani dhe dëshmitarët Hajrush Halili dhe Petrit Isufi, që të dy zyrtarë policorë.

Në aktakuzën e përfaqësuar nga prokurori Agron Uka thuhet se Prokuroria Themelore në Gjilan, më 10 nëntor 2017, ka ngritur aktakuzë ndaj Sadullah Dërmakut, për veprën penale marrje e ryshfetit. Sepse, më 20 tetor 2017, në Kamenicë, në cilësinë e inspektorit të komunikacionit, me qëllim që vetes t’i sjell dobi pasurore, në mënyrë të kundërligjshme ka përfituar si person zyrtar.

Ai akuzohet se në mënyrë që të dëmtuarit Besnik Shabani, t’i mundësojë ushtrimin e veprimtarisë së biznesit “City Taxi”, i ka kërkuar 500 euro, para të cilat i ka marrë nga i dëmtuari. Dhe të njëjtat i ishin gjetur në xhepin e palltos së tij, pas bastisjes nga ana e zyrtarëve policorë, me ç’rast edhe ishte arrestuar.

Seanca e radhës u caktua për datën 24 dhjetor 2018.