Gjykimi i zyrtarëve të "Lesna"-s - Foto: KALLXO.com

Prokurori në Seancë Tjetër, Dështon Ajo Ndaj Zyrtarëve të 'Lesna'-s

Në Gjykatën Themelore të Mitrovicës ka dështuar të mbahet seanca e paraparë kundër zyrtarëve të institucionit financiar “Lesna”, Ardian Jonuzi dhe Berat Hasani.

Prokurori Ismet Ujkani ka njoftuar Gjykatën se nuk mund të marrë pjesë në këtë seancë pasi ishte caktuar edhe në një seancë tjetër që do të mbahej në të njëjtën kohë.

Në këto rrethana, gjyqtari Beqir Halili njoftoi palët prezente që seanca do të shtyhej.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Mitrovicë akuzon Ardian Jonuzin dhe Berat Hasanin se në cilësinë e analistëve të kredive në institucionin jobankar “Lesna”, dega në Mitrovicë, kanë nënshkruar kontrata në emër të kredimarrësve, me ç‘rast kanë mundësuar lidhjen e kontratave për kredi bujqësore dhe blegtorale, ku vlera e tërësishme e përfitimit të personave të tjerë arrin shumën prej 55.500 euro.

Tutje në aktakuzë thuhet se Ardian Jonuzi ka mundësuar lidhjen e gjithsej 48 kontratave për kredi bujqësore dhe blegtorale në vlerë prej 46.800 euro dhe se ka nënshkruar vetë 33 kontrata në emër të kredimarrësve.

Kurse Berat Hasani akuzohet se në emër të kredimarrësve ka mundësuar lidhjen e gjithsej 3 kontratave për kredi bujqësore dhe blegtorale në vlerë prej 8.700 euro.

Seanca e radhës për ketë rast është caktuar të mbahet më 20 prill.