Prokurori në pushim, dështon seanca gjyqësore për mashtrim të konsumatorëve

Për shkak të pushimit vjetor të prokurorit të rastit Feti Tunuzliu, ka dështuar të mbahet seanca gjyqësore në gjykimin për mashtrim të konsumatorëve dhe falsifikim të dokumenteve zyrtare ndaj të akuzuarëve Avdullah Latifi, Artan Ferati, Xhevdet Rama, Selatin Krasniqi, Flamur Hotin dhe Besnik Beshi.

Kryetari i trupit gjykues Hamdi Ibrahimi njoftoj se pasi prokurori gjendet në pushim vjetor, gjykata nuk ka kushte procedurale ta mbajë shqyrtimin.

Sipas aktakuzës, Artan Ferati ka keqpërdorë detyrën zyrtare pasi nuk i ka asgjësuar të gjitha produktet e kompanisë “Te Bashkimi”, të cilat ishin të destinuara për asgjësim.

Në aktakuzë thuhet se Ferati pas shkatërrimit të dy paketave me parfume nuk është interesuar për shkarkimin e paketave të tjera për shkatërrim, duke e lënë të mbyllet furgoni dhe duke u larguar nga vendi i ngjarjes.

Sikurse Ferati edhe Avdullah Latifi akuzohet për keqpërdorim të detyrës pasi që si punëtor në kompaninë “Te Bashkimi “, pas mbylljes së furgonit e merr drejtimin e tij për t’u ndaluar më pas nga hetuesit e Anti-Kontrabandës.

I pandehuri Xhevdet Rama akuzohet se e ka ndihmuar Artan Feratin në kryerjen e veprës penale duke e transportuar atë deri te vendi i asgjësimit dhe duke i urdhëruar më pas punëtoret fizik që të nxjerrin vetëm dy paketa me parfume për asgjësim.

 

 

 

Ndërkaq Selatin Krasniqi sipas pretendimeve të Prokurorisë ka transportuar parfume false që është dashur të asgjësohen, për t’i ofruar për shitje konsumatorëve të interesuar me paraqitjen e rreme se parfumet e tilla kinse janë origjinale për të përfituar prej tyre në mënyrë të kundërligjshme.

Flamur Hotin dhe Besnik Beshin, Prokuroria i akuzon se si persona zyrtarë të Doganës së Kosovës kanë përpiluar raportin e asgjësimi të mallit derisa kanë qenë në vendin e punës në Prizren e jo në vendin e ngjarjes në Prishtinë, dhe në të kanë shënuar të dhëna të pavërteta se kinse në prani të Besnik Beshit është bëre shkatërrimi I mallit me çka kanë kryer veprën penale të falsifikimit të dokumentit zyrtar.

 

https://kallxo.com/deshton-seanca-e-gjykimit-per-mashtrim-te-konsumatoreve/

.