Pallati i Drejtësisë | Foto: KALLXO.com

Prokurori Kërkon Gjykim për Aksidentin Tragjik

Prokurori i rastit të gjykimit të Dikton Zariqit, i cili akuzohet për shkaktim të aksidentit që ka përfunduar me fatalitet, ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë që të hedhë si të pabazuar kërkesën e avokatit të të pandehurit për hedhjen poshtë të aktakuzës.

“Prokuroria ka analizuar pretendimet e mbrojtjes të paraqitura në kundërshtimin e provave dhe kërkesën për hedhjen e aktakuzës dhe ka gjetur se këto pretendime nuk qëndrojnë, andaj i propozoj Gjykatës që ta caktojë shqyrtimin kryesor”, deklaroi prokurori Ilaz Beqiri.

Ndërsa avokati Asdren Hoxha, përfaqësues i palës së dëmtuar, konkretisht i familjes Bajrami, e cila në aksidentin në fjalë kishte humbur djalin, deklaroi se pajtohet me fjalën e prokurorit.

“Në tërësi pajtohem me fjalën e prokurorit dhe konsideroj që kundërshtimet e avokatit mbrojtës në lidhje me provat si dhe kërkesën për hedhjen e aktakuzës janë të pabazuara”, tha avokati.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Dikton Zariqi më 1 nëntor 2015 në Prishtinë ka drejtuar automjetin nën ndikimin e alkoolit në atë mënyrë që duke lëvizur ka rrezikuar trafikun publik dhe ka venë në rrezik jetën dhe trupin e njerëzve, gjë që ka rezultuar me vdekjen e një personi – Milot Bajramit.

Po ashtu, sipas aktakuzës, përkundër faktit se me automjetin e tij e ka goditur tani të ndjerin Bajrami, i cili kishte marrë lëndime për vdekje, i akuzuari nuk është afruar t’i japë ndihmën e nevojshme pas aksidentit.

Dikton Zariqi në seancën fillestare është deklaruar i pafajshëm rreth akuzave për dy vepra – ngasje në gjendje të paaftë apo të dehur dhe për mosdhënie të ndihmës personave të lënduar në fatkeqësi komunikacioni. Në aksidentin që dyshohet se e shkaktoi ai mbeti i vdekur Milot Bajrami.

http://kallxo.com/i-akuzuari-per-aksidentin-tragjik-ndihet-i-pafajshem/