Prokurori Kërkon Dënimin e Zyrtarëve Komunalë të Suharekës

Prokurori i shtetit, Sefer Morina, ka kërkuar sot dënimin e katër zyrtarëve komunalë të Suharekës dhe të një biznesmeni, të cilët akuzohen për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Pjesë e aktakuzës janë ish-drejtori i Urbanizimit, Kurtesh Fondaj, drejtori i Inspektoratit, Raif Fetiu, dy inspektorë të ndërtimit, Berat Kabashi e Hafir Maliqaj, dhe pronari i firmës “Unicom”, Muharrem Elshani.

Në seancën e sotme në Gjykatën e Prizrenit, në fjalën hyrëse, prokurori arsyetoi aktakuzën, për të cilën tha se është e mbështetur në prova të pranueshme dhe kërkoi dënimin e të akuzuarve.

“Pa dyshim se do të vërtetohet teza e aktakuzës dhe vërtetim i plotë i gjendjes faktike se të akuzuarit, vërtet me veprimet e tyre kanë kryer këto vepra penale, për çka edhe pas administrimit të të gjitha provave, gjykata do t’i nxjerrë dhe shpallë fajtorë”, tha prokurori Sefer Morina.

Ndërsa, të akuzuarit deklaruan se në fund do të vërtetohet pafajësia e tyre.

Seanca vazhdoi me procedurën e provave, ku avokati i të akuzuarit, Hafir Maliqi, Hajrip Krasniqi, i propozoi Gjykatës që të dilet në vend të ngjarjes me ekspertë gjeodetë, për çka të gjithë e mbështetën përpos prokurorit, i cili kundërshtoi daljen për shikim të objektit.

Trupi gjykues e aprovoi këtë propozim dhe seanca e ardhshme u caktua për më 5 gusht.

Ish-drejtori i Urbanizimit të Komunës së Suharekës, Kurtesh Fondaj, akuzohet se më 22 korrik 2013 miratoi dhe aprovoi kushtet e ndërtimit, duke plotësuar dhe ndryshuar aktvendimin e pëlqimit urbanistik dhe kushtet e lokacionit dhe lëshoi leje të re ndërtimi në emër të Muharrem Elshanit në kundërshtim me planin urbanistik detal të qytetit.

Aktakuza e ngarkon Muharrem Elshanin se ka zhvendosur një pjesë të fushës së klubit të futbollit “Ballkani”, duke shfrytëzuar për nevoja të kompanisë së tij 16 ari nga kjo fushë.

Elshani akuzohet edhe se gjatë ndërtimit të objektit afaristo-banesor ka përvetësuar sipërfaqen prej 50 metrash katrorë, duke kaluar në bazën e themeltë të objektit në pronësi shoqërore, me ç’rast Komunës i shkakton dëme të konsiderueshme.

Ndërsa drejtori i Inspektoratit, Raif Fetiu, dhe inspektorët e ndërtimit Hafir Maliqaj dhe Berat Kabashi akuzohen se prej muajit korrik 2013 deri në muajin prill 2015 me qëllim ia mundësojnë Muharrem Elshanit zhvendosjen e një pjese të fushës së “Ballkanit” në sipërfaqe prej 16 ari dhe hyrjen në pronë shoqërore prej 50 metrash gjatë ndërtimit të një objekti afarist-banesor.