Gjykata në Gjakovë | Foto: KALLXO.com

Prokurori i Kanosur: E Ndikuar Gjykata dhe Prokuroria

Në seancën e gjykimit të Eshref Qafleshit, të akuzuarit për kanosjen e prokurorit Besim Susuri, prokurori Susuri kërkoi përjashtimin nga ky proces të Prokurorisë dhe Gjykatës në Gjakovë, me arsyetimin se ato janë të ndikuara.

“Me prokurorin e çështjes jemi shokë, ndërsa sa i përket kërkesës për përjashtimin e gjyqtares, kryetarit dhe Gjykatës Themelore në Gjakovë si dhe Prokurorisë Themelore në Gjakovë ngase ekziston dyshimi i bazuar mirë se të njëjtit janë të ndikuar nga i pandehuri dhe persona të caktuar për të cilin fakt të njëjtit do të ballafaqohen në një të ardhme të shpejtë”, deklaroi Besim Susuri.

Gjykata me kohë do t’i njoftojë palët për vendimin e kryetarit të saj rreth kërkesës për përjashtim të bërë nga prokurori Susuri.

Në seancën e sotme nuk ishte i pranishëm Eshref Qafleshi, i akuzuari për kërcënimin e prokurorit Susuri.

Gjyqtarja Ilirjana Hoti, njoftoi se Qafleshi nuk ka ardhur në gjykatë, ngase ndaj tij është iniciuar edhe një rast tjetër.

“Në gjykatë ka arritur parashtresa-njoftimi i prindit të akuzuarit Haxhi Qafleshi me dt. 04.07.2017 me të cilën ka njoftuar gjykatën për pamundësinë e pjesëmarrjes së të akuzuarit në shqyrtimin gjyqësor meqenëse i njëjti është në paraburgim në Qendrën e Paraburgimit në Prizren me që nga ana e prokurorisë është iniciuar edhe një rast tjetër”, tha gjyqtarja Hoti.

Gjashtë ditë më parë KALLXO.com shkroi për mesazhin në rrjetin social me të cilin dyshohet se u kërcënua prokurori Susuri.

http://kallxo.com/arrestohet-dyshuari-per-kercenimin-e-prokurorit-ne-prizren/

Për kërcënimin e prokurorit Susuri kishte reaguar edhe Këshilli Prokurorial i Kosovës.

http://kallxo.com/reagon-kpk-per-kercenimin-e-prokurorit-nga-prizreni/

KALLXO.com shkroi edhe më herët për procesin gjyqësor ndaj Eshref Qafleshit.

http://kallxo.com/prokuroria-nuk-con-askend-ne-gjykimin-per-kanosjen-e-prokurorit/