Prokurori i Hagës Kritikon Mikpritjen e Ministrave Serbë për Kriminelin e Luftës

Kryeprokurori i Gjykatës së Hagës, Serge Brammertz, kritikoi Serbinë për mikpritjen prej heroi që i bëri ish-gjeneralit të Ushtrisë Jugosllave, i cili u lirua pasi kreu dy të tretat e dënimit të tij për krime lufte.

Në fjalimin e tij në Këshillin e Sigurimit të OKB-së të mërkurën, kryeprokurori i Gjykatës Penale Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë, Serge Brammertz, u bëri thirrje autoriteteve serbe që të tregojnë më shumë angazhim për ndjekjen penale të krimeve të kryera gjatë luftërave të viteve 1990.

“Procesi i llogaridhënies në Serbi është në një udhëkryq kritik. Progresi i mëtejshëm kërkon angazhim të fortë politik,” tha Brammertz.

“Në këtë drejtim, fakti që javën e kaluar ministra të lartë të qeverisë shoqëruan dhe mirëpritën një të dënuar për krime lufte, gjeneralin Vladimir Lazareviç, në Serbi pas lirimit të tij, përcjell një sinjal jashtëzakonisht shumë të gabuar,” tha ai.

Zyrtarë të lartë dhe qindra njerëz që mbanin pankarta me slogane si “Mirëse vjen, gjeneral” dhe brohorisnin “Lazareviç, heroi ynë” përshëndetën lirimin e të dënuarit për krime lufte, pasi ai u dërgua nga qendra e burgimit e OKB-së në Hagë në qytetin serb të Nishit më dhjetor 3.

Qeveria serbe dërgoi avionin e saj dhe ministrin e saj të mbrojtjes dhe atë të drejtësisë, Bratislav Gasiç dhe Nikola Selakoviç, që të shoqëronin Lazareviçin, ish-shefin e shtabit të Korpusit të Prishtinës të Ushrtisë Jugosllave, i cili u lirua pas kohe pasi kreu dy të tretat e dënimit të tij me 14 vjet burg.

Lazareviç u mirëprit gjithashtu në aeroport edhe nga ministri serb i punës Aleksandar Vulin, kreu i Ushtrisë Serbe Ljubisa Dikoviç, Peshkopi ortodoks serb Teodosije dhe kryetari i komunës së Nishit, Zoran Perisiç.

Gasiç dhe Selakoviç ishin ministrat e parë serbë që shoqërojnë ndonjëherë një të dënuar në shtëpi pas lirimit të tij nga Gjykata e Hagës.

Sipas vendimit, Lazareviç ndihmoi dhe inkurajoi dëbimin e shqiptarëve nga Kosova he kreu vepra të tjera çnjerëzore, duke i ofruar asistencë praktike anëtarëve të Ushtrisë Jugosllave.

Si rezultat, rreth 11,000 shqiptarë të Kosovës u vranë dhe rreth 700,000 u dëbuan në Shqipëri, Mal të Zi dhe Maqedoni.

Duke komentuar mbi progresin e vendeve të tjera në rajon kur vjen puna te ndjekjet penale të krimeve të luftës, Brammertz tha se “pavarësisht progresit që është bërë, është e qartë se në të gjithë ish-Jugosllavinë, duhet të arrihet më shymë llogaridhënie”.

“Përveç kësaj, autoritetet kroate javën e kaluar filluan zhvarrimet e një varri masiv që besohet të përmbajë eshtrat e serbëve të Kroacisë të vrarë gjatë Operacionit Stuhia. Sistemi gjyqësor kroat tani ka mundësin e rëndësishme të tregojë qartë se procesi i llogaridhënies vazhdon në mënyrë të pavarur dhe të paanshëm,” tha Brammertz.

Duke komentuar mbi Bosnjën dhe Hercegovinën, ai tha se ka pasur progres në ndjekjet penale të krimeve të luftës, por paralajmëroi se kjo ishte “e pabarabartë dhe e broshtë”.

“Objektivat e përcaktuara në Strategjinë Kombëtare të Krimeve të Luftës (atë të Bosnjës) nuk do të plotësohen me një diferencë të konsiderueshme,” tha Brammertz.

Strategjia shtetërore e Bosnjës për ndjekjet penale të krimeve të luftës, e miratuar në vitin 2008, ka deklaruar se rastet më komplekse duhet të përfundojnë deri në fillim të vitit 2016 dhe pjesa tjetër brenda tetë vitesh.

“Përveç kësaj, bashkëpunimi mes zyrave të prokurorëve në nivel shtetëror, entiteti, rajoni dhe në nivel kantonal mbetet problematik dhe ekziston një konsensus i përgjithshëm që sektori i drejtësisë ende nuk po arrin të përmbushë pritshmëritë e publikut,” shtoi ai.

Presidenti i Gjykatës së Hagës, gjyqtari Karmel Agius, gjithashtu përditësoi anëtarët e Këshillit të Sigurimit të OKB-së në lidhje me progresin e saj ndërsa mbyll çështjet e saj të fundit.

Sipas Agius, gjykata pritet të japë vendime të shkallës së parë në rastet kundër ish-presidentit serb të Bosnjës Radovan Karaxhiç dhe liderit të Partisë Radikale Serbe Vojisllav Sheshel para fundit të marsit 2016.

Pavarësisht faktit se shumë çështje po janë vonuar, Agius tha se “gjykata duhet të përmbushë qëllimin e saj përfundimtar të mbylljes në vitin 2017”.