Salih Zyba kur u arrestua. Foto: Komuna e Prishtinës

Prokurori Heq Dorë nga Ndjekja e Salih Zybës

Seanca e gjykimit të anëtarit të Kryesisë së “Vetëvendosjes” dhe shefit të Sektorit të Inspektoratit në Komunën e Prishtinës isshte paraparë të mbahej sot, por ajo nuk u zhvillua.

Gjykata njoftoi se ka hedhur poshtë aktakuzën, pasi prokurori ka hequr dorë prej saj.

Salih Zyba akuzohej për asgjësim, ose dëmtim të pasurisë, ndërsa sipas aktvendimit të gjykatës të siguruar nga KALLXO.com prokurori i shtetit më 8 mars e ka njoftuar gjykatën me një parashtresë se tërhiqej nga akuza.

“Në Gjykatën Themelore në Prishtinë është duke u zhvilluar procedura penale ndaj të pandehurit Salih Zyba për shkak të veprës penale asgjësim apo dëmtim i pasurisë dhe përmes kësaj parashtrese ju njoftoj se tërhiqem nga aktakuza,” thuhej në parashtresën e prokurorit.

Aktakuza ndaj Zybës ishte ngritur për shkak se prokuroria pretendonte se ai e kishte larguar flamurin shtetëror nga shtiza te rrethi i spitaleve në Prishtinë.

Këtë vepër sipas Prokurorisë Themelore të Prishtinës Zyba e kishte kryer në vitin më 27 nëntor 2013, dymbëdhjetë minuta pas mesnatës.

Prokuroria bënte me dije se Zyba atë natë e kishte zhvendosur flamurin shtetëror, duke e lënë në tokë me qëllimin që për 28 nëntorin e atij viti ta vë flamurin kuqezi.

Sipas prokurorisë, Zyba ishte vërejtur nga policia gjatë kryerjes së këtyre veprimeve, për t’u dërguar në Stacionin Jugu të Prishtinës.

http://kallxo.com/sali-zyba-akuzohet-per-heqje-te-flamurit/

Salih Zyba ishte arrestuar në vendin e tij të punës në Komunën e Prishtinës më 29 shkurt.

http://kallxo.com/arrestohet-sali-zyba-ne-kabinetin-e-shpend-ahmetit/