Ish-prokurori Bajram Hamitaga | Foto: KALLXO.com

Prokurori Hamitaga Deklarohet i Pafajshëm

Prokurori i suspenduar i krimeve të rënda në Prokurorinë Themelore të Prizrenit Bajram Hamitaga u deklarua sot i pafajshëm në gjykimin e tij për shpërdorim detyre të zhvilluar në Gjykatën e Gjilanit.

Pafajësinë e deklaroi sot edhe Luan Delili, shoferi i Prokurorisë në Prizren që në procesin gjyqësor me Hamitagën akuzohet për frikësim gjatë procedurës penale.

Gjatë seancës avokatët e të akuzuarve u ankuan se nuk i kanë pranuar të gjitha provat me të cilat ngarkohen të mbrojturit e tyre, por thanë se kjo nuk paraqet pengesë për vazhdim të gjykimit në fazën në të cilën ai ndodhet.

Para se të deklarohen për fajësinë apo pafajësinë të akuzuarve iu lexua aktakuza nga prokurori Arben Ismajli.

Hetimet ndaj Hamitagës dhe Delilit filluan menjëherë pas transmetimit të emisionit “Drejtësia në Kosovë” në maj të këtij viti, në të cilin prokurori akuzohej se ka kërkuar favore nga një i dyshuar ndaj të cilit ai po i zhvillonte hetimet.

http://kallxo.com/prokurori-rrefen-per-kositesen-qe-e-rregulloi-te-akuzuari/

http://kallxo.com/prokurori-flet-per-cadren-qe-mori-nga-familja-e-te-akuzuarit/

Aktakuza ndaj Hamitagës dhe Delilit u ngrit nga Prokuroria Themelore në Gjilan më 26 shtator.

Sipas aktakuzës, i pandehuri Hamitaga, i cili ka qenë prokuror në Prokurorinë Themelore të Prizrenit, nga muaji korrik i vitit 2013 deri më 22 janar 2015, në cilësinë e personit zyrtar me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete dhe djalin e tij, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin e tij zyrtar, nuk i ka përmbushur detyrat e tij zyrtare, me çka ka kryer veprën penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare apo autoritetit zyrtar.

Prokurori Hamitaga Dyshohet se Kërkoi Ryshfet nga i Akuzuari

Ndërkaq, i pandehuri i dytë, Luan Delili, më 08.04.2016, me anë të premtimit e ka nxitur personin tjetër që të përmbahet nga dhënia e deklaratave, në mënyrë që të tërhiqet nga dhënia e deklaratave që i ka dhënë në seancën gjyqësore në Gjykatën Themelore në Prizren, se i pandehuri i parë B.H., ka kërkuar 5.000 euro, me çka ka kryer veprën penale të frikësimit gjatë procedurës penale.

http://kallxo.com/negociatat-e-korrupsionit-ne-prizren-video/

Dosjen Hamitaga në KALLXO.com mund ta lexoni këtu.