Gazetari Agron Gashi - Foto: Facebook

Prokurori Flet për Vdekjen e Gazetarit Agron Gashi

Prokuroria Themelore e Pejës është në pritje të raportit të Institutit të Mjekësisë Ligjore për të konstatuar rrethanat e vdekjes së  gazetarit dhe zëdhënësit të Komunës së Klinës, Agron Gashi, i cili ka vdekur gjatë ditës së djeshme derisa po bartej për në Spitalin Rajonal të Pejës.

Prokurori i rastit, Haxhi Sinanaj tha për KALLXO.com se për shkak të dyshimeve mbi vdekjen e Gashit ka kërkuar të bëhet autopsia edhe pse, sipas tij, familjarët nuk kanë shprehur dyshime mbi vdekjen e gazetarit.

“Dyshimet i kemi marrë në momentin që më ka njoftuar Policia që personi në fjalë në çfarë rrethanash ka ndërruar jetë. Edhe pse familjarët e tij nuk kanë shprehur ndonjë dyshim për shkakun e vdekjes unë prapëseprapë kam vendosur dhe kam lëshuar urdhëresë dhe të njëjtin e kemi dërguar për autopsi”, tha Sinanaj.

Prokurori Sinanaj tha për KALLXO.com se janë në pritje të raportit të mjekut ligjor për rastin e vdekjes së Gashit.

“Jemi duke e pritur raportin e mjekut ligjor se vdekja a është e natyrshme apo cili është shkaku i vdekjes. Tash nuk mund të them asgjë pa ardhur raporti i mjekut ligjor”, deklaroi Sinanaj.

Prokurori tregoi po ashtu se sipas informatave qe posedon, i ndjeri Gashi ka qenë duke luajtur futboll kur nuk është ndjerë mirë.

“Informatat qe i kemi është se ai nuk është ndjerë mirë derisa ka qenë duke luajtur futboll. Është e vërtetë që ka ngrënë diçka dhe ka shkuar në emergjencë, është kontrolluar nga mjeku, ka marrë një infuzion. Por pasi që e ka marrë infuzionin prapë nuk është ndjerë mirë. Mandej e kanë marrë për ta dërguar dhe kur ka ardhur në Spitalin e Pejës ka qenë pa shenja jete”, tregoi prokurori Sinanaj.

Ceremonia e varrimit e gazetarit Agron Gashi është paraparë të bëhet sot në varrezat e fshatit Sferkë të Klinës në ora 16:00.