Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi - Foto: KALLXO.com

Prokurorët e Mbrojnë Kryeprokurorin

Shoqata e Prokurorëve të Kosovës ka kërkuar mbrojtje institucionale për Kryeprokurorin e Shtetit Aleksandër Lumez pas publikimit në media të dyshimeve për provimin e tij të jurisprudencës.

Bordi i Shoqatës së Prokurorëve të Kosovës gjatë ditës së martë kanë lëshuar një reagim me ç’rast kanë vlerësuar se sistemi prokurorial dhe kryeprokurori i shtetit janë përballur me presione për qëllime degraduese.

“Shoqata e Prokurorëve të Kosovës, vlerëson  se sistemi prokurorial i Kosovës në përgjithësi, e në veçanti kryeprokurori i shtetit, kohën e fundit janë përballur para    presioneve dhe sulmeve ndaj punës së tyre, me qëllim të degradimit, ndikimit dhe shantazhimit për të penguar rezultatet e mira të punës”, thuhet në reagim.

Kjo shoqatë ka vlerësua se hulumtimet e fundit në media ndaj kryeprokurorit të shtetit janë të fabrikuara, të papranueshme, të rrezikshme dhe tendencioze.

“Çdo tendencë për të zbehur dhe zmbrapsur punën e Prokurorëve  të Shtetit e sidomos rasti i fundit, kur cenohet integriteti i të parit të sistemit të akuzës, me hulumtime të përgatitura dhe të fabrikuara është tërësisht e papranueshme, e rrezikshme dhe tendencioze, me synim që të krijojnë pasiguri  dhe besim, jo vetëm për prokurorët, por edhe për tërë sistemin juridik të Kosovës”, thuhet në reagim.

Duke i parë këto rrethana, Shoqata e Prokurorëve të Kosovës ka kërkuar mbrojtje të kryeprokurorit të shtetit, Aleksandër Lumezi.

Andaj, Shoqata e Prokurorëve të Kosovës, kërkon nga institucionet vendore dhe ndërkombëtare t’i dalin në mbrojtje  institucionit të Prokurorit të Shtetit,  sepse vetëm kjo gjë tregon  gatishmëri dhe  vullnet, për të mbështetur punën e pavarur të Prokurorit të Shtetit, në luftën e përditshme kundër krimit në Kosovë.

Gjatë ditës së djeshme ka reaguar edhe kryeprokurori i shtetit, Aleksandër Lumezi duke i ka quajtur të pavërteta dhe shpifje akuzat ndaj tij për manipulim të dosjes së provimit të jurisprudencës.

http://kallxo.com/lumezi-akuzat-ndaj-meje-jane-te-fabrikuara/

Edhe Lumezi në reagim thotë se akuzat ndaj tij janë mbështetur edhe nga disa grupe të interesit që “dëshirojnë ta shohin në veçanti sistemin prokurorial të dështuar”.