Projektligji Për Zhurmën, Bën Zhurmë Në Kuvend

Shqyrtimi i parë projektligjit për mbrojtjen nga zhurma nxiti debat në Kuvendin e Kosovës.

Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ferid Agani, tha se në projektligjin e ri janë marrë sygjerimet e ekspertëve  vendorë dhe ndërkombëtarë për të punuar në këtë projektligj.

“Projektligji është hartuar duke u bazuar në standardet e Bashkimit Evropian dhe qëllimi i tij është përcaktimi i qasjes unike me qëllim të parandalimit të efekteve të dëmshme duke përfshirë bezdisjen për shkak të ekspozimit të zhurmës”, tha Agani.

Sipas Ministrit, projektligji shtjellon rregullat dhe kushtet për përgatitjen e planit të veprimit për menaxhimin e zhurmës.

Ministri Agani tha se ky projektligj nuk e rregullon dhe mbikëqyrë zërimin e këmbanave dhe pajisjeve elektroakustike në kohën e riteve fetare.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës Nait Hasani tha se mandatin e kaluar është diskutuar ligji për zhurmën dhe disa përfaqësues të Kuvendit kanë qenë në Turqi në Këshillim e Bashkësisë Islame dhe në Patriarkanën e Stambollit me qëllim për ta gjetur një zgjidhje më të mirë për zërimet.

“Për ne është e rëndësishme ta kemi një ligj për zhurmën, kriteri që ne kemi kërkuar është që të jetë i kontrolluar edhe zërimi nëpër bashkësitë fetare. Ne kemi pasur një takim me Kryetarin e Bashkësisë Islame Naim Tërnavën dhe ata kanë llogaritur që kanë një rregullore të brendshme për zërim”, tha Hasani.

Deputetja Alma Lama  nga Lidhja Demokratike e Kosovës nuk u pajtua me atë që tha Ministri Agani.

“Qëndrimi im personal me këtë projektligj është i papajtueshëm. Projektligji po na vjen në duar për herë të dytë, kjo po ndodhë jo sepse kemi të bëjmë me ndonjë ligj të komplikuar por për shkak të oportunizmit dhe injorancës. Shumë deputete kanë bërë udhëtime nëpër botë për me marrë eksperienca nga shtetet e tjera, imagjinoni tani sikur për çdo projektligj deputetët të udhëtonin nëpër botë me pa eksperienca do të falimentonte edhe shteti”, tha Lama.

Në lidhje me lartësinë e zërit të objekteve fetare deptuetët Lama tha se “edhe muzika e Mozartit dhe Bethovenit nëse e kalon nivelin e duhur do të bëhej e padurueshme”.

“Për të gjithë ata që nuk e kanë marrë vesh bota ka evoluar kambanat e kishave ose ezanit që shërbenin për t’iu treguar njerëzve kohën sot nuk janë më të tillë, ne jetojmë në shtete demokratike ku duhet të respektohen të drejat e të gjithë qytetarëve të atyre që besojnë e atyre që nuk besojnë”, tha Lama.

Sipas saj, me këtë prjektligj i është kaluar edhe Arabisë Saudite sepse edhe atje, sipas saj, nuk mund të lëshohet zëri nga disa xhami njëkohësisht kur distanca fizike mes tyre është e afërt ndërsa tha se edhe në vendet perëndimore kambanat e kishave i nënshtrohen sanksioneve.

Por kundër Lamës reagoi deputeti i pavarur Gëzim Kelmendi, i cili tha se nuk guxon asnjë deputet për bindjet e tij të rrënojë tolerancën fetare që ekziston në Kosovë.

“Është e papranueshme për neve me thanë që ezani është burim i zhurmës, edhe për bashkësitë e tjera e kambanat e kishës” tha Kelmendi.