Projektligji për Shërbim të Jashtëm i Gatshëm për Kuvend

Komisioni për Punë të Jashtme sot ka aprovuar shqyrtimin në parim të Projektligjit për Shërbimin e Jashtëm të Republikës së Kosovës, i cili do t’i dërgohet Presidencës dhe Kuvendit për aprovim.

Blerta Deliu-Kodra, si udhëheqëse e grupit punues të këtij Komisioni, tha se rregullimi i këtij Projektligji ka ardhur pas vizitave të shumta që janë bërë në ambasada dhe konsullata të ndryshme, ku janë parë zbrazëtirat ligjore që ekzistojnë.

Shqyrtimi i këtij Projektligji është bërë edhe në bashkëpunim me shoqërinë civile.

Sipas përfaqësuesit të Grupit për Studime Juridike në këtë Komision, Dren Ajeti, shkarkimi i një ambasadori nga ambasadat e Kosovës përveç që duhet të bëhet pas rishikimit të punës nga Ministria e Punëve të Jashtme, duhet të bëhet edhe në konsultim me Presidentin e Kosovës.

“Është standard që organi që e emëron një person të caktuar, në një detyrë të caktuar, ai organ duhet të jetë që edhe e bën shkarkimin e tij”, propozoi Ajeti.

Ndërsa Blerta Deliu-Kodra tha se edhe nëse bëhen ndërrime në Qeveri, struktura e diplomatëve të Kosovës duhet të jetë e njëjtë.

“Në rast të ndërrimit të ministrave, në rast të ndërrimeve që do të ndodhin në Qeveri, të mos ketë ndërprerje të punës për diplomatët, por të ketë një kontinuitet të punës dhe në këtë mënyrë të ruhet edhe efektiviteti i vet strukturës diplomatike”, tha ajo.

Po ashtu, ajo theksoi se të gjithë diplomatët duhet që të shkojnë në këtë Komision, në mënyrë që anëtarët e tij të kenë mundësi të monitorojnë punën e ambasadorëve.