Projektligji për Liri Fetare me Kishë Ortodokse të Kosovës dhe Bektashianët e Ndarë nga Tarikati

Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione ka votuar Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin për Lirinë Fetare në Kosovë pa disa amendamente që janë propozuar nga Qeveria dhe subjektet politike.

Anëtarët e komisionit refuzuan amendamentin e Qeverisë së Kosovës për regjistrimin e bashkësive fetare ku ekzekutivi ka kërkuar që me rastin e themelimit të bashkësive fetare të hiqet numri  anëtareve.

“Komisioni ka vendosë që numri prej 100 anëtarëve për regjistrimin e bashkësive fetare të vlejë për themelimin e Bashkësisë Fetare”, tha kryetarja e Komisionit, Duda Balje.

Ky komision po ashtu ka refuzuar edhe amendamentet e deputetëve të Listës Serbe, të cilët kanë kërkuar zëvendësdrejtor në Zyrën për Bashkësitë Fetare si dhe dy përfaqësues të tyre në Komisionin për Regjistrimin e Bashkësive Fetare.

Këto amendamente ngjallën debat në komision duke u vlerësuar se kërkesa e Listës Serbe është diskriminuese.

“Është diçka që kërkohet jashtëligjshme  dy prej shtatë anëtarëve te Komisionit Ad Hoc që merret me kërkesa të bashkësive për tu regjistruar të jenë nga minoriteti serb. Kjo është e padrejtë”, tha anëtarja e komisionit Teuta Haxhiu (AAK).

Edhe anëtarja tjetër e këtij komisioni, Luljeta Veselaj-Gutaj nga PDK-ja foli rreth amendamenteve të Listës Serbe.

“Unë mendoj që është diskriminuese nëse ua japim komunitetit serb dy pozita në komision kur ne kemi edhe minoritete të tjera. Me automatizëm ne shkelim të drejtat e minoriteteve nëse ua japim këtë të drejt minoritetit serb”, tha Veselaj-Gutaj.

I pranishëm në këtë mbledhje ishte edhe Behxhet Shala, drejtori i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ).

“Në projektligj thuhet së paku dy përfaqësues të Listës Serbe në komision. Duhet të precizohet kjo sepse së paku dy i bjen edhe pesë me qenë. Andaj duhet të hiqet së paku. Ky komision është vec  teknik dhe nuk ka kuptim me qenë dy nga minoriteti serb”, tha Shala.

Komisioni parlamentar votoi kundër amendamenteve të Lëvizjes Vetëvendosje me arsyetimin se ky subjekt politik nuk ka sjellë sqarime për amendamentet e propozuara.

Gjatë kësaj mbledhje, Komisioni votoi pro amendamentit të deputetit Nait Hasani për krijimin e Kishës Ortodokse Shqiptare  me ndryshim të emërtimit, duke u quajtur Kisha Ortodokse e Kosovës.

Ky ndryshim u arsyetua nga zëvendëskryetarja e komisionit, Lirije Kajtazi nga LDK-ja.

“Meqë kemi ortodoksë edhe nga komuniteti malazez dhe të tjerët, atëherë ne kemi propozuar si komision të bëhet Kisha Ortodokse e Kosovës”, tha Kajtazi.

Me vendim të Komisionit, në Kosovë sot janë bërë shtatë Bashkësi Fetare. Ky komision ka miratuar që bashkësia fetare Bektashiane të ndahet nga ajo e Tarikateve të Kosovës.

KALLXO.com kishte raportuar kohë më parë se si përfaqësuesi bektashian Baba Mumin Lama kishte kërkuar që bashkësia fetare Bektashiane të mos jetë në kuadër të Bashkësisë së Tarikateve të Kosovës.

“Neve na takon me qenë komunitet i veçantë sepse ndërrojmë për shumë gjëra dhe nuk mund të përfaqësohemi nga Komuniteti i Tarikatit ashtu siç e kanë cekur me Ligj”, pati thënë Baba Mumin Lama.

Gjatë kësaj mbledhje, anëtarët e komisionit kritikuan mospjesëmarrjen e anëtarëve të komisionit nga Lista Serbe dhe nga Lëvizja Vetëvendosjes si propozues të amendamenteve.

Projektligji për  ndryshim dhe plotësim të Ligjit për Lirinë Fetare në Kosovë ka për qëllim të rregullojë çështjet e bashkësive fetare në Kosovë.