Takimi i Komisionit për Zhvillim Ekonomik - Foto: KALLXO.com

Projektligji për Investime Strategjike Shkon në Kuvend

Komisioni për Zhvillim Ekonomik ka miratuar Projektligjin për Investime Strategjike, i cili është përcjellë për në Kuvendin e Kosovës.

Projektligji mund të bëhet ligj me vetëm 31 vota të Kuvendit.

Anëtarët e Komisionit patën vërejtje në këtë pikë, duke e vlerësuar gabim krahasimin e Projektligjit për Investime Strategjike me ligje të thjeshta.

Besim Beqaj theksoi se krahasimi i Ligjit për Investime Strategjike me Ligjin njëvjeçar të Buxhetit është i papranueshëm dhe e humb peshën të cilën e ka pasur më herët.

“Ky ligj nuk është më ai të cilin ne e kemi menduar më herët. Ne ligjin e kemi marrë, e kemi trajtu, e kemi përmirësu në mënyrë substanciale sa i përket transparencës. Por, një gabim është bërë në Kuvend që ky ligj është krahasuar me Ligjin e Buxhetit. Unë mendoj se krahasimi i këtij Ligji me një ligj njëvjeçar siç është buxheti është e papranueshme”, tha Beqaj.

Ndërsa, i pranishëm në cilësinë e mysafirit, Naser Osmani, kryesuesi i Komisionit për Buxhet e Financa, Komision që ka pasur vërejtje për Projektligjin, theksoi se duhet të evidentohen të gjitha mangësitë dhe se votimi me 31 vota nuk e bën më të paligjshëm.

“Te Ligji për Investime Strategjike duhet të jemi shumë të kujdesshëm te dhënia në shfrytëzim e pronës shoqërore, duhet ta kemi parasysh se vlera e një ndërmarrje të mos jetë më e madhe se vlera që do të investohet. Ndërsa sa i përket transparencës duhet të jemi transparentë në procedura sepse jemi dëshmitarë që në kohën e fundit na kanë ikur disa investitorë. E sa i përket votimit të thjeshtë me 31 vota kjo nuk e bën ligjin më pak të paligjshëm se sa ligjet e tjera”, tha Osmani.

Kurse, kryesuesi i Komisionit të Zhvillimit Ekonomik, Muhamet Mustafa, tha se miratimi i projektligjit me vetëm 31 deputetë nuk është ndonjë ekstremitet sepse, sipas tij, gjithçka është transparente dhe legjitime.

“Ky ligj prek shumë çështje vitale. E sado që diskutojmë ne mund të kemi alternativa. Por, ne kemi ardhë në një situatë kur e kemi gjetë një zgjidhje optimale, ndoshta nuk është zgjidhja ideale por është zgjidhja optimale. Nuk është votimi prej 31 deputetëve çështje ekstreme siç po ju duket. Nëse ka kaluar në Qeveri, ka kaluar në Komision ndërministror, është para syve të opinionit, ju lutem pak a shumë gjithçka është transparente”, tha ai.