Komisioni per Arsim 17.12.2018 - FOTO KALLXO

Projektligji për Arsimin Shqip të viteve 90-ta dërgohet në Kuvend

Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini, Sporte, Inovacion dhe Ndërmarrësi, e ka dërguar në Kuvendin e Kosovës për votim Projektligjin për statusin e punëtorëve të arsimit shqip të Kosovës të viteve 1990-të.

Ky projektligj u votua me 6 vota për dhe dy abstenime.

Kryetari i këtij komisioni, Ismajl Kurteshi tha se është punuar shumë në këtë projektligj dhe pavarësisht kritikave nga organizata të ndryshme.

“Është ligj me të cilin ka pasur këshilla dhe kërkesa të ndryshme, derisa tek ato që të mos bëhet fare ky ligj. Por si anëtarë i kemi marr parasysh të gjitha edhe atë të Ministrisë së Financave. Shpresojë që ky ligj të ketë kosto të përballueshme dhe do të punohet në të ardhmen e të kemi vetëm një skemë pensionale”, tha Kurteshi.

Ndërsa anëtari i këtij komisioni nga PSD, Driton Çaushi tha se do të abstenojë këtë projektligj pasi sipas tij po dëmtohet buxheti i shtetit.

“Ky projektligj ka kosto të madhe dhe këtë e kanë paraqitur edhe FMN edhe Banka Botërore edhe BE-ja. Andaj mendoj se kaq shumë ndarje të skemave pensionale po e dëmtojnë buxhetin dhe është e dëmshme. Mendoj se duhet të rishikohen këto skema dhe të bëhet një kod i unifikuar”, tha Çaushi.

Kurse anëtarja nga VV, Arbërie Nagavci tha se nuk mund të votojë për këtë projektligj për shkak se ajo është e përfshirë në këtë kategori.

“Unë jam pjesë e këtij projektligji dhe është konflikt interesi andaj nuk mund të votojë. Gjithsesi kontributin tim për këtë e kam dhënë gjatë grupeve punuese”, tha ajo.

Derisa ky projektligj ishte shqyrtuar në komisionit e përhershme të Kuvendit të Kosovës, Ministria e Financave kishte kërkuar që të ndryshohet një fjali e neni 7.

Ministria kishte kërkuar që fjala tek përfitimet të mos jetë mbi bazë, por të zëvendësohet me fjalinë atë që e realizon.

Mevlyde Shamolli, përfaqësuese e Ministrisë së Financave, tha se kjo gjë është kërkuar për shkak të mundësive për keqinterpretime.

“Ne skemat pensionale kemi shumë pensione andaj mos me u keqinteprtu pensioni bazë është i moshës, ne kemi mendu me hequr dhe me lënë atë që përfiton, sepse mund të bëjmë padrejtësi”, tha ajo.

Në këtë mbledhje të komisionit ishte paraparë që të raportonin edhe anëtarët e Këshillit Shtetëror të Cilësisë të Agjencisë së Kosovës për Akreditim, por ata ishin në udhëtim zyrtarë.