Foto: Kallxo.com

Projektligjet e FSK-së miratohen me vota unanime në Komisionin për Buxhet dhe Financa

Komisioni për Buxhet dhe Financa me vota unanime ka miratuar projektligjet për transformimin e FSK-së.

Kryetari i këtij komisioni, Lumir Abdixhiku, tha se Kosova shpenzon vetëm 0.7% të bruto produktit në mbrojtje.

“Jemi këtu në mbledhje të jashtëzakonshme. Kosova shpenzon vetëm 0.7% të bruto produktit për mbrojtje. Ushtria e Kosovës këtë vit do të ketë buxhet – 53 milion, në vitin 2020 – 57 milion dhe në vitin 2021 – 62 milion euro”, ka deklaruar Abdixhiku.

Ali Lajçi u shpreh se e përkrah fuqishëm projektligjin për FSK-në.

“Ka edhe mangësi sepse trajtohen në bazë të ligjit për FSK. Kështu siç është edhe çdo tentim të dinamizimit dhe përparimit të FSK drejt një misioni ushtarak unë e përkrah fuqimisht. Miratimi i ligjeve pa një kosto financiare është pak problematike”, ka theksuar Lajçi.

Safete Hadërgjonaj, nënkryetare e Komisionit për Buxhet dhe Financa nga PDK tha se duhet t’i kalojnë këto ligje për shkak se nuk kanë kosto financiare.

“Duhet t’i kalojmë këto ligje sepse nuk kanë kosto financiare, ne kemi forcë edhe ta ndryshojmë ligjin, problem e kemi qe të formohet sepse mjetet buxhetore ekzistojnë brenda buxhetit të Kosovës”, është shprehur Hadërgjonaj.

Ndërsa deputeti Enver Hoti tha se pas formimit të ushtrisë vendi do të njihet më mirë në fushën e sigurisë.