Projekti ‘Shkollat e Shekullit 21’, prezantohet në shkollat e Prishtinës

Kryetari i Komunës së Prishtinës Shpend Ahmeti ka njoftuar se British Council zyra në Kosovë në bashkëpunim me Drejtorinë e Arsimit kanë prezantuar para shkollave të Komunës së Prishtinës projektin “Shkollat e Shekullit 21”.

Sipas Ahmetit projekti është i financuar nga qeveria britanike dhe zbatohet në gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor, përfshi këtu edhe Kosovën.

“Për qëllim ka të përmirësojë shkathtësitë bazë dhe shkathtësitë e kodimit te nxënësit e moshës nga 10 deri në 15 vjeç përmes aktiviteteve të parashikuara brenda dhe jashtë programeve mësimore. Shkathtësitë bazë në të cilat fokusohet ky projekt janë: Mendimi Kritik, Zgjidhja e Problemeve dhe Kodimi. Shkathtësitë e Kodimit të nxënësve do të përmirësohen duke përdorur pajisjet e kodimit Micro:bit, të cilat do t’i dhurohen secilës shkollë pjesëmarrëse në projekt në formën e grantit”, ka shkruar Ahmeti në rrjetin social Facebook.

Për këtë projekt, British Council ka nënshkruar edhe një Memorandum të Bashkëpunimit me Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë së Republikës së Kosovës.