Lansimi i projektit të ri nga UNDP dhe JICA - Foto: UNDP

Projekt për Zvogëlimin e Rrezikut nga Fatkeqësitë Natyrore

Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) dhe Agjensioni i Japonisë për Bashkëpunim Ndërkombëtar (JICA) lansuan sot projektin e ri për zvogëlimin e rrezikut nga fatkeqësitë natyrore në Kosovë.

Projekti është financuar nga Qeveria e Japonisë dhe do të implementohet nga UNDP-ja në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Brendshme të Kosovës.

Andrew Russell, koordinator i UNDP-së, tha se e pret me padurim vazhdimin e marrëdhënies së shkëlqyer me MPB-në në fushën e menaxhimin të fatkeqësive, zvogëlimin e rrezikut dhe aktivitetet e rimëkëmbjes.

Ai u shpreh me mirënjohje për Qeverinë e Japonisë për mbështetjen e këtij projekti të ri.

“Gjatë 16 viteve të fundit, Japonia ka mbështetur aspekte të ndryshme të rindërtimit të Kosovës përmes UNDP-së, nga mbështetja e mediave të pavarura, rehabilitimi i shkollave dhe ambulantave e deri tek përkrahja në fushën e sundimit të ligjit dhe luftën kundër korrupsionit”, tha Russell, duke treguar se Japonia është donatori numër një i UNDP-së në Kosovë që nga viti 1999.

Ndërsa, Tatsuro Hayashi, këshilltar në Ambasadën e Japonisë në Vjenë (përgjegjës edhe për Kosovë), shprehu gatishmërinë e Qeverisë japoneze për ta ndihmuar Kosovën edhe në fushën e mbrojtjes nga fatkeqësitë natyrore.

Agim Gashi, këshilltar i ministrit të Brendshëm, tha se duhet të punohet më shumë në fushën e vetëdijesimit për fatkeqësitë natyrore. “Duhet të bëhet realizimi i videoklipeve, realizimi i ushtrimeve në komunitet dhe realizimi i aktiviteteve të tjera që kanë të bëjnë ne ngritjen e vetëdijesimit edhe institucional edhe qytetar”, tha ai.

Gashi po ashtu shprehu kënaqësinë e vazhdimit të projektit dhe bashkëpunimit me UNDP-në dhe JICA-në.

Projekti që do të zgjasë 2 vjet do të ketë tre komponentë. I pari do të jetë puna në 10 komuna të përzgjedhura për vlerësimin e rreziqeve dhe përpilimin e planeve për reagim ndaj fatkeqësive.

Komponenti i dytë do të përfshijë ndërtimin e kapaciteteve të institucioneve qendrore për të monitoruar dhe raportuar mbi implementimin e strategjisë për zvogëlimin e rreziqeve nga fatkeqësitë natyrore.

Duke marrë parasysh që gruaja ka një rol kyç në menaxhimin e rreziqeve, komponenti i tretë i projektit do të ketë për detyrë ndërtimin e kapaciteteve të grave duke i përgatitur t‘i përgjigjen  në mënyrë të duhur fatkeqësive të mundshme natyrore.

Agjencia Japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtarë për këtë projekt ka ndarë 300.000 dollarë amerikanë.