Natalya Apostolova | Foto: KALLXO.com

Progres që nuk Mjafton për Liberalizim

Shefja e Zyrës së BE-së Natalya Apostolova, pas publikimit të Raportit të Progresit nga Komisioni Evropian tha se progresi i Kosovës nuk mjafton për liberalizim vizash.

“E ripërsëris, Kosova ka bërë progres, ka përmirësuar luftimin e korrupsionit, po kjo nuk nënkupton të futet në ‘listën e bardhë’ të Schengenit. Kosova duhet të përmbushë edhe kushtin e parë: demarkacionin,” tha Apostolova.

Ajo ishte e pranishme në Qendrën Kulturore e Informative të BE-së ku u transmetua konferenca direkte nga Brukseli e komisionarit për zgjerim Johannes Hahn.

Apostolova këtë vit për Kosovën e konsideroi të vështirë për shkak të polarizimit mes partive që tha se ishte pengesë për progresin.

Ajo duke u ndërlidhur me raportin e Progresit deklaroi se korrupsioni vazhdon të jetë prezent në Kosovë, ndërsa shihet pak ndryshim pozitiv në ekonomi.

Sipas saj Kosova është jokonkurruese në tregun brenda Basghkimit Evropian, ndërsa nuk është bërë asnjë progres në cilësinë në arsim.

Apostolova konstatoi se duhet të bëhet zgjidhje rreth pagesave të veteranëve. Sipas saj këto pagesa zvogëlojnë buxhetin e Kosovës dhe fondet e BE-së.

Raporti i Progresit për Kosovën i publikuar sot gjeti vendnumërim në shumicën e fushave në krahasim me të njëjtin raport të vitit të kaluar.