Programi i USAID ka forcuar komunikimin ndëretnik

USAID në Kosovë me projektet e veta ka arritur të krijojë vende të reja pune dhe t’ua lehtësojë jetën qytetarëve.

Kështu tha sot drejtoresha e Misionit të USAID-it në Kosovë, Lisa Magno, në ngjarjen e cila shënon sukseset e aktivitetit “Avancojmë Kosovën së Bashku – Zgjidhjet Vendore”.

Ajo ka përmendur një biznes në Zubin Potok ku janë krijuar shumë vende të reja pune dhe bashkëpunimin ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve në këtë biznes.

“Më kujtohet kur jam takuar me një biznes të vogël në Zubin Potok, i cili prodhon xhem me mana të vogla. Nga kjo janë krijuar shumë vende të reja të punës. Ne kemi punuar edhe me organizatat civile, janë dhënë 68 grante, kemi mbështetur edhe shumë biznese nëpër komuna, gjithashtu kemi përkrahur edhe për E-kiosqet të cilat janë të vendosura në të gjitha komunat dhe ju mundësojnë qytetarëve të marrin dokumente shumë lehtë. Ju që jeni këtu jeni dëshmi e fuqisë që paraqesin nivelet lokale”, tha Magno.

Ndërsa, drejtoresha ekzekutive e CDF dhe programit USAID/ AKT- LS, Nermin Mahmuti tregoi për projektin dhe për bizneset që kanë përfituar nga ky program në nivel lokal.

Ky program i financuar nga USAID ka për qëllim të forcojë komunikimin ndëretnik, duke u përqendruar në problemet, nevojat dhe zgjidhjet e përbashkëta.

“Ky projekt ka qenë i përqendruar në 16 komuna të Kosovës, duke përfshirë edhe komunat veriore të vendit. Ka arritur që të krijojë 432 vende të reja pune nga 135 biznese që kanë përfituar nga këto grante duke kanë përmirësuar jetën e komuniteteve”, tha Mahmuti.

Kurse, Shend Emini nga Democracy for Development (D4D), i cili ka përfituar nga USAID në projektin e AKT- LS, tha se aftësimi i shumë të rinjve përmes punës praktike në institucione të ndryshme u ka krijuar mundësi pune.

“Në periudhën 2016-2017 shumë të rinj nga të gjitha komunat në iniciativën “Avancojmë Kosovën së Bashku – Zgjidhjet Vendore” kanë pasur mundësinë të kryejnë punën praktike dhe trajnime në aftësi të buta dhe në punë praktikantët kanë arritur të krijojnë një rreth të madh dhe të krijojnë mundësi pune në Kosovë. Edhe pse mosnjohja e gjuhës nuk i ka ndalur ata të komunikojnë ndërmjet vete dhe të përfshihen në ato organizata ku këta i kanë kryer punët praktike”, tregoi Emini.

Ky projekt përfshin mundësi më të mira për integrimin e tregjeve minoritare me tregjet e shumicës, përmirësimin e zinxhirit të vlerave në mënyrë që të sigurohet qëndrueshmëria ekonomike e bizneseve, si dhe rritja e përgjegjshmërisë së administratave lokale ndaj shërbimeve dhe nevojave të komuniteteve minoritare.