Profesori universitar: PDK fajtore për mbylljen e 3 universiteteve publike

Profesori universitar, Muhamet Hamiti, ka reaguar pas vendimit të Këshilli Shtetëror të Cilësisë (KShC) për mosakreditimin institucional të Universitetit publik të Mitrovicës, Universitetit të Pejës dhe Universitetit të Prizrenit.

Ai ka thënë që iniciativa për hapjen e këtyre universiteteve që në fillim ka qenë politike.

“Një sërë universitetesh politike janë ngjizur në Kosovë si skema politike, në stinë elektorale, në radhë të parë nga PDK-ja, partia pushtetare e ‘Dekadës sē vjetër’ që po e synon edhe ‘Dekadën e re’. Premtohej hapja e tyre siç premtohet në fushatë asfaltimi i një rruge fshati. U bënë për vota”, ka shkruar ai në Facebook.

Sipas tij një politizim i tillë ka ndikuar që sot këtu universitete të mos i plotësojnë standardet europiane.

“Militantët partiakë u bënë profesorë, dekanë e rektorë, siç u pa edhe në këto ditë vere. Tash  u bë e qartë për këdo – se profesionistët me dinjitet e kanë ditur prej fillimi- se këto skema politike-arsimore nuk i përballojnë standardet elementare akademike ndërkombëtare”, ka shkruar tutje ai.

Tutje Hamiti ka ngritur shqetësimin e tij në lidhje me gjendjen në kolegjet private.

“Një pjesë e konsiderueshme e bartësve privatë të arsimit të lartë në Kosovë mbajnë parashenja të qarta të skemave piramidale. (Pagesa është kusht, por jo provimi pranues për t’u regjistruar në këto ente, ta zëmë.) Edhe rënia e tyre është e paevitueshme. Është kohë e fundit që të vihet rend në arsimin e Kosovës, që është qeverisur e po qeveriset keq tash e një dekadë”, ka theksuar ai.

Sipas tij duhet të ndëshkohen me votë të gjithë ata që e kanë sjellë Kosovën në këtë gjendje.

“Duhet të bjerë Qeveria, ndërsa promovuesit e skemave të ndyra politike-piramidale në arsim të ndëshkohen me votë. Këta që janë në pushtet tash e kanë katandisur Kosovën keq në të gjitha fushat”, ka theksuar ai.

Këshilli Shtetëror i Cilësisë(KShC) në mbledhjen e 74-të vendosi në favor të raporteve të ekspertëve ndërkombëtarë, të cilët rekomanduan që t’u tërhiqet akreditimi institucional për vitin akademik 2019/2020.

Me këto vendime, Universiteti publik i Mitrovicës, Universiteti i Pejës dhe Universiteti i Prizrenit, nuk do të mund të regjistrojnë studentë të rinj për këtë vit akademik.

Mbledhja e sotme ka qenë e monitoruar vetëm nga KALLXO.com.