Profesori universitar jep dorëheqje nga pozita e asamblistit të PDK-së

Qerim Selimi, profesor i Shkencave Natyrore në Universitetin e Mitrovicës deri para tre ditësh, ka mbajtur edhe pozitën e anëtarit të Kuvendit Komunal në Vushtri.

Selimi ishte zgjedhur në këtë pozitë në zgjedhjet e vitit 2017, nga radhët e PDK-së.

Sipas tij, pozita ishte mbajtur në dakordim me universitetin.

Megjithatë, më 7 maj të këtij viti, rektori i këtij universiteti mori vendim që gjatë kohës sa ky profesor mban edhe postin publik në Kuvend Komunal, në universitet do të marrë pagë sekondare.

Në një vendim tjetër të të njëjtës datë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për këtë universitet vendosi që ky profesor të largohet nga lista e votuesve dhe kandidatëve për Këshillin e Fakultetit të Edukimit. Ky vendim erdhi pas një shkrese të dekanes së këtij fakulteti, Merita Shala duke potencuar që Selimi nuk ka të drejtë të marrë pjesë në zgjedhjet e brendshme, pasi nga universiteti merr pagë sekondare.

Lidhur me këtë ishte ankuar profesori Selimi duke thënë se universiteti e ka ditur për angazhimin e tij në Kuvendin Komunal, kohë më parë.

“Është e vërtetë se në zgjedhjet lokale të vitit 2017, unë jam zgjedhur anëtar i Kuvendit Komunal në Vushtrri, për të cilën gjë UMIB më ka dhënë pushim pa pagesë një muaj, çka do të thotë se e tëra kjo çështje ishte transparente dhe ligjore”, tha Selimi duke shtuar se pozita e tij u bë problematike vetëm pasi erdhën zgjedhjet në UMIB.

Më 8 maj, një ditë pas vendimit të universiteit, Selimi dha dorëheqje të parevokueshme nga Kuvendi Komunal i Vushtrisë ndërsa pozita e tij u zëvendësua më 15 maj.

KALLXO.com ka pyetur edhe Universitetin e Mitrovicës lidhur me këto vendime.

Sipas drejtorit për informim në këtë universitet, Ahmet Jashari, vendimi për kalimin e profesorit në pagë sekondare ishte bërë pas njoftimin se ai është edhe këshilltar komunal.

“Në zbatim të vendimit të Këshillit Drejtues 443/05, pika 5, të datës 31.03.2017 “Personeli akademik i zgjedhur apo emëruar në poste publike, gjatë periudhës së ushtrimit të postit publik, nga Universiteti i Mitrovicës do të kompensohen me pagë sekondare”. Andaj në zbatim të këtij vendimi, Universiteti i Mitrovicës ka marrë vendim që profesori, Qerim Selimi, të paguhet me pagë sekondare. Vendimi është nxjerr menjëherë pas marrjes së njoftimit se profesori, Qerim Selimi, është asmableist në Komunën e Vushtrrisë”, thuhet në përgjigje.

Sipas tij, universiteti ka vepruar njëjtë edhe në raste të tjera të ngjashme

“Bazuar në vendimin e sipërpërmendur, Universiteti i Mitrovicës, në të gjitha rastet që i ka në njoftim ka vepruar në të njëjtën mënyrë edhe në vitin 2017 ka vepruar në disa raste njëjtë, pasi që të njëjtit kanë pasur për obligim të paraqesin postet e tyre publike, të zgjedhur apo të emëruar”, tha Jashari.

Ata po ashtu kanë thënë se sipas ligjit duke qenë edhe anëtar i Kuvendit Komunal, profesori nuk ka pasur të drejtë të marrë pjesë në zgjedhje.

Në anën tjetër, profesori Selimi potencoi se pjesëmarrja e tij në zgjedhjet e universitetit është e rëndësishme për të, prandaj edhe ka dhënë dorëheqje nga pozita e tij në komunë.

Universiteti i Mitrovicës lejon mandate të dyfishta në menaxhment

 

Do NOT follow this link or you will be banned from the site!