Profesori i Pensionuar i Dhuron Shkollës Bibliotekën e Tij

Në ditën e përurimit të bibliotekës së shkollës së mesme të ulët “Zekeria Rexha”, profesori i pensionuar, Bashkim Bardhi, i ka dhuruar kësaj shkolle 100 libra të ndryshëm dhe disa mjete edukativo-arsimore.

I pensionuar 7 vjet më parë, profesori Bardhi tha se ka vendosur ta japë këtë donacion për ta pasuruar këtë bibliotekë dhe për ta lehtësuar punën e këtij institucioni shkollor në Gjakovë.

I emocionuar, profesori i anglishtes ka kujtuar vitet që kishte kaluar fillimisht si nxënës dhe pastaj si mësues në këtë shkollë, për të kaluar më pas si profesor universitar.

“Arsye tjetër e këtij donacioni është se biblioteka po hapet për herë të parë, pra që ta pasurojmë dhe begatojmë me një fond më të madh të librave”, tha ai, duke treguar se ka sjellë nja 100 libra dhe për arsimtarët disa mjete mësimore si tabelë, sintin bashkë me librin me tekstet e këngëve, etj.

Ndërsa, drejtoresha e Arsimit në Gjakovë, Diana Qarkaxhija, ka falënderuar profesorin Bashkim Bardhi për kontributin e tij shumëvjeçar në arsim dhe shfaqi shpresën se ai do të vazhdojë të jetë i pranishëm në këtë shkollë me udhëzimet e tij, të cilat do të jenë më se të nevojshme për mësimdhënësit e këtij institucioni.

“E falënderojmë profesorin Bashkim për gjithë kontributin që ka bërë në arsimin shqip. Ai e ka pa të arsyeshme që bibliotekën e tij që e ka shfrytëzuar për nxënësit e tij në kurse dhe mësimdhënien e gjuhës angleze ta lansojë pikërisht në hapësirën e re të bibliotekës së shkollës ‘Zekeria Rexha’”, tha ajo.

“Librat do të jenë në funksion të të gjithë fëmijëve që nga klasa e parë deri në klasën e nëntë sepse ka të niveleve të ndryshme e mbi të gjitha edhe pajisje të tjera që do të jenë pjesë shtesë e punës që do të bëjnë mësimdhënësit e gjuhës angleze”, shtoi drejtoresha Qarkaxhija.

Në shkollën “Zekeria Rexha” mësimet i ndjekin nxënësit nga klasa e parë deri në të nëntën.

Në këtë shkollë mësimet e para i ka nxënë edhe profesori Bashkim Bardhi. Më vonë aty ai kishte dhënë mësim, derisa u bë profesor universitar.

Bibliotekën e re e ka rregulluar shkolla me mjete të veta. Në fakt, bibliotekë është bërë një klasë, e cila nuk shfrytëzohej për mësim.

Deri më tani, biblioteka ka qenë në një vend me lagështi dhe pa ndriçim të mjaftueshëm.