Produkte vendore|Foto : Jeta në Kosovë

Prodhuesit Vendorë Kërkojnë Lirim nga Taksat

Në tryezën e Odës Ekonomike Amerikane për mundësitë dhe pengesat e eksporteve kosovare, prodhuesit vendorë u ankuan për taksat e larta që paguajnë.

Mërgim Prishtina, kryesues i Komitetit të Prodhimit në këtë odë, tha se eksporti në tregun ndërkombëtar në kushtet në të cilat ndodhet Kosova është proces tejet i  vështirë.

“Synim kryesor i të gjithë kompanive prodhuese në Kosovë është eksporti në Bashkimin Europian, për të eksportuar me brendet tona, diçka që është shumë e vështirë, apo e pamundur në këtë situatë në të cilën jemi si ekonomi e varfër dhe si shtet i ri,” tha Prishtina.

Ai gjithashtu deklaroi se Kosova mund të jetë zonë e lirë ekonomike në të cilën çdo fabrikë mund të licencohet për moskontrollim doganor, por si pengesë të kësaj përmendi burokracinë.

“Si për sembullh industria farmaceutike që ka disa çështje burokratike që automatikisht direkt apo indirekt e rrit koston e produktit dhe ti nuk je konkurrent në Europë. Për me importu një lëndë të parë, ne prapëseprapë duhet me iu nënshtru kontrollit të agjensionit, duhet me marrë leje, me pagu taksë,” deklaroi Prishtina.

Në tryezë u tha se një produkt për t’u eksportuar suksesshëm varet nga çmimi që ka, cilësia dhe shpejtësia me të cilën hidhet në treg.

Por Agran Halimi nga Kompania “Pestova” kërkoi që kjo kompani të lirohet nga një pjesë e taksës për lëndë të parë që të jetë e barabartë në treg.

“Ajo që na shqetëson neve është se ne nuk jemi të barabartë me konkurrentët e regjionit. Ne ende e paguajmë taksën për lëndën e parë në vaj, për arsye se ajo llogaritet se nuk ka certifikatë nga vendet e Bashkimit Europian, ndërsa vendet e rajonit janë të liruar nga kjo taksë,” tha Halimi.

Edhe zëvendëskryeministri Ramiz Kelmendi që ishte pjesë e tryezës duke u treguar prodhuesve se është këtu për të dëgjuar kërkesat dhe ankesat e tyre, e pranoi se prodhuesit vendas janë më të shtrenjtë në Kosovë se ata që vijnë këtu nga rajoni.

“Po i dëgjoj kërkesat tuaja në lirimin e doganës në të gjitha materialet, ambalazhimet që e shtrenjtojnë procesin e prodhimit, sepse dogana dhe materialet e rrisin diku prej 3 deri ne 8 për qind çmimin e produktit të prodhuar në Kosovë dhe shpesh prodhuesit e Kosovës janë shumë më të shtrenjtë brenda Kosovës, sesa prodhuesit e njëjtë që vijnë nga vendet fqinje,” tha zëvendëskryeministri Kelmendi.

Kelmendi u bëri thirrje prodhuesve vendorë që t’i shkruajnë dhe t’i shpjegojnë detajisht kërkesat e tyre.

Në janar të këtij viti në Emisionin “Jeta në Kosovë” u diskutua për prodhimet vendore.

‘Jeta në Kosovë’ për Prodhimet e Kosovës

Kosova vazhdimisht eksporton shumë pak, ndërsa importon jashtëzakonisht shumë.

http://kallxo.com/pandalshem-deficiti-tregtar/

http://kallxo.com/importet-ngulfaten-eksportet-ne-muajin-gusht/

http://kallxo.com/tregtia-e-kosoves-ne-korrik/

Redaktoi: Bekim Muhaxheri