Tryeza e Klubit të Prodhuesve të Kosovës | Foto: ZKM

Prodhuesit Kërkojnë Konkurrencë të Barabartë në Treg

Në tryezën e organizuar nga Klubi i Prodhuesve të Kosovës u panë me shqetësim rezultatet e një hulumtimi që tregonin se 90 për qind të produkteve në supermarketet kosovare janë nga importi, e vetëm 10 për qind vendase.

Astrit Panxha, drejtor ekzekutiv Klubit të Prodhuesve të Kosovës kërkoi rregullim të tregut në vend.

“Ne nuk po kërkojmë që të mbyllet tregu i importit, por të kemi rregullim të tregut brenda Kosovës, sepse unë besoj që në Kosovë ka produkte të mjaftueshme me cilësi të lartë të cilat po përballen me vështirësi të shumta”, tha Panxha.

I pranishëm në tryezë ishte edhe zëvendëskryeministri Fatmir Limaj. Ai kërkoi që së bashku me prodhuesit të ndërmerren hapa konkretë për ndryshimin e gjendjes.

“Prioriteti ynë është prodhimi vendor. Para së gjithash, ne kemi obligime para qytetarëve tanë, para shtetit tonë. Qeveria e Republikës së Kosovës u jep përgjegjësi qytetarëve të vet. Obligim të parë e ka mbështetjen e prodhuesve të vet”, tha Limaj.

Limaj foli edhe për lirimin nga dogana dhe akciza për lëndën e parë të importuar dhe për makineritë që sipas tij kanë ndikuar drejtpërdrejtë në stimulimin e prodhuesve.

Në tryezë u treguan edhe qëllimet e studimit hulumtues të bërë nga Riinvesti.

Qëllimet e këtij studimi ishin që të vlerësohen çështjet më dominuese që mbizotërojnë në marrëdhëniet ndërmjet zinxhirëve të shitjes me pakicë dhe prodhuesve vendorë.

KALLXO.com shkroi dy javë më parë rreth këtij studimi hulumtues.