Konferenac e prodhuesve të grurit dhe Odës Ekonomike | Foto: KALLXO.com

Prodhuesit e Grurit: Bëhuni Patriotë me Prodhime të Vendit

Shoqata e Bujqve Prodhues të Grurit të Kosovës në bashkëpunim me Odën Ekonomike të Kosovës mbajtën konferencë për  mbrojtjen e prodhimeve vendore të grurit dhe për të caktuar masat e nevojshme që duhen ndërmarrë.

Në këtë konferencë teksa tregoi se sivjet është mbjellë më pak grurë se vjet, kreu i Odës Ekonomike të Kosovës Safet Gërxhaliu tha se është koha të përkrahen fermerët.

“Në vitin 2017 kemi afro 20 mijë hektarë më pak të mbjellë me grurë sesa në vitin 2016 dhe jemi këtu për të gjetur mënyrën se si të mbrohet prodhimi vendor. Është koha të përdorim taktikat e vendeve të rajonit që për produktet tona jo vetëm të flitet por edhe të veprohet. Bujqësia është ajo që gjeneron vende të reja të punës. Është koha kur duhet të mbështetet fermeri i Kosovës”, tha kryetari i OEK-ut.

Ndërsa, kryetari i Shoqatës së Bujqve  Prodhues të Grurit të Kosovës Pal Gjuraj tha se në vitin 2015 Kosova nga gruri i saj siguroi më pak se gjysmën e nevojave për këtë produkt.

“Fermerët tanë janë në vështirësi të konsiderueshme sepse nuk janë të barabartë me konkurrentët e shteteve përreth. Në vitin 2015 kishim të mbjella 90 mijë hektarë prej të cilave si shtet mundëm të sigurojmë 185 mijë tonë grurë. Nevojat e përgjithshme janë rreth 400 mijë tonë”, tha Gjuraj.

Ai u kërkoi qytetarëve që ta shfaqin patriotizmin duke përdorur prodhime vendore, ndërsa deklaroi se importuesit e grurit duhet të kushtëzohen që të blejnë edhe grurin e vendit.

“U bëj thirrje konsumatorëve që të bëhen pakëz  më nacionalista në kuptimin e konsumimit të prodhimeve vendore. Në qoftë se një importues importon nga Serbia apo cilido shtet 1 mijë tonë grurë, atëherë nga ATK-ja  të japë dëshmi që ka grumbullu apo ka blerë edhe 1 mijë tonë grurë vendor”, tha Gjuraj.

Kryetari i Shoqatës së Mullisëve të Kosovës, Bashkim Fejzullahu tha se shteti i Serbisë shumicën e kohës Kosovës po i shet miell, për të cilin tha se nuk i dihet prejardhja.

“Ata janë munduar që grurin të mos e qesin të papërpunum drejt Kosovës, por të japin me miell të gatshëm i cili industrisë sonë i ka kushtuar shumë. Por më e keqja ka pësu konsumatori i fundit i cili ka përdorë miellra të ndryshëm që as prejardhja nuk u dihet”, tha Fejzullahu.

Në vitin 2014 Gazeta Jeta në Kosovë shkroi për bllokimin që iu bë grurit të kompanisë “M-Sillosi”, i cili nuk u lejua të hyjë në Shqipëri për shkak se sipas autoriteteve të atjeshme kishte cilësi të dobët.

Mielli i Kosovës Pret Semaforin e Gjelbër të Shqipërisë

Në konferencën e shoqatës së prodhuesve të grurit dhe odës ekonomike, u tha se për një vit Kosova humb rreth 1 mijë hektarë tokë bujqësore, përmes ndërtimit të rrugëve, pompave të benzinës, e ndërtimeve tjera.

Në konferencë u shpreh edhe shqetësimi se aktualisht qytetarët nuk mund ta dinë se çfarë lloj mielli po përdorin sepse nuk po vendoset emri i prodhuesit në etiketë.

Në pakon e re fiskale është paraparë vendosja e banderolave në paketimet e miellit për të pasur nën kontroll këtë produkt dhe cilësinë e tij.

http://kallxo.com/mielli-banderola-ne-pakon-e-dyte-fiskale/