Shpallja e aktgjykimit - Foto: KALLXO.com

Prodhuan ilegalisht pije ‘Skenderbeg’ e ‘Vodka’, dënohen 5 të akuzuarit

Gjykata e Prishtinës ka shpallur aktgjykimin në rastin e pesë të akuzuarve për prodhim të ndaluar të pijeve alkoolike të firmave të njohura si “Skenderbeg”, “Vodka”, “Pashtrik” si dhe verërave të ndryshme.

Të akuzuarit Arsim Ejupi, Bahtir Emini, Zenel Emini, Shaqir Abdullahu dhe Bylbyl Sokoli u gjetën fajtorë për veprat që u viheshin në barrë.

Gjykata i ka shqiptuar secilit dënim prej dy vitesh burgim me kusht, i cili dënim nuk do të ekzekutohet nëse të akuzuarit nuk do të kryejnë vepra të tjera penale në periudhën kohore pesë vjeçare.

Përpos dënimit me burgim, i akuzuari Arsim Ejupi është dënuar me 10 mijë euro gjobë ndërsa të akuzuarit Bahtir Emini, Zenel Emini, Shaqir Abdullahu e Bylbyl Sokoli, janë dënuar me nga 5 mijë euro gjobë.

Të akuzuarit janë obliguar që t’i paguajnë edhe shpenzimet e procedurës penale si dhe ato të paushallin gjyqësor në vlerë prej 100 euro.

Shpallja e aktgjykimit është bërë nga gjykatësja Shadije Gërguri.

Vlen të ceket se aktakuza ishte ngritur në korrik të vitit 2004 ndërsa gjykimi ka përfunduar sot.

Aktakuza ishte ngritur më 22 korrik 2004 nga prokurori i ish-Prokurorisë së Qarkut,  e më pas është ndryshuar më 10 nëntor 2017 nga prokurori i Prokurorisë së Prishtinës, Armend Hamiti, i cili kishte bërë shkrirjen e dispozitivit në një akt të vetëm me ç’rast janë akuzuar Bahtir Emini, Zenel Emini, Shaqir Abdullahu, Bylbyl Sokoli dhe Arsim Ejupi.

Prokuroria pretendon se të akuzuarit gjatë periudhës kohore 2000-2004 në bashkëveprim kanë punuar në prodhimin e pijeve alkoolike dhe për këtë të njëjtit tash po gjykohen sipas aktakuzës, e cila përmban veprat penale prodhimi i ndaluar,  mashtrimi i blerësve, shmangia nga tatimi, mashtrim, shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm, prodhimi dhe shfrytëzimi i tiketave, masave dhe peshave të rreme dhe përdorimi i paautorizuar i firmës.

Tutje në aktakuzë thuhet se të njëjtit kishin bashkëpunuar me Herman Berin dhe Ilira Berin, shtetas të Shqipërisë, përmes firmës “Mega”, po ashtu edhe përmes firmës “Jupiteri”, ku pronar ishte Zenel Emini, njëri nga të pandehurit.

Sipas aktakuzës në bashkëpunim me Arsim Ejupin, Shaqir Abdullahun, i cili ishte pronar i “Joni 2” dhe Bylbyl Sokoli, pronar i “Caki Comerce”, kishin prodhuar pije alkoolike të tipit “Skenderbeg”, “Vodka” dhe “Pashtrik”, si dhe verë të bardhë, verë të kuqe dhe se në mënyrë ilegale kishin transportuar lëndë kimike për përpunim të pijeve alkoolike, e këto mjete ishin drejtuar nga ana e Nexhat Ibrahimit dhe Nahip Sylejmanit.

Prokuroria pretendon se të pandehurit kanë kryer veprën penale prodhim i ndaluar.

Por për të njëjta veprime të akuzuar janë edhe Nahip Sylejmani, Nexhat Ibrahimi, Herman dhe Ilira Beri, por të njëjtit gjenden në arrati.