Foto: Kallxo.com

Prodhohet një vulë e re, NPB tani i ka dy (VIDEO)

Ndërmarrja Publike Banesore (NPB) ka ndarë edhe më shumë ish-shokët e dikurshëm që sot janë shpërndarë në dy parti rivale, VV dhe PSD.

Përveç që i ka ndarë si shokë, ata i kanë ndarë edhe vulat.

Dren Kukaj, drejtor i Pronës në Komunën e Prishtinës dhe njëri nga aksionarët e Ndërmarrjes Publike Banesore e ka konfirmuar për KALLXO.com se ata kanë krijuar një vulë të re të Ndërmarrjes.

“Pasi që janë marrë këto vendime, e kemi prodhu një vulë të re”, tha Kukaj gjatë intervistës për KALLXO.com.

E fakti se janë dy vula, për Kukajn nuk çon shumë peshë, pasi që ai thotë se ushtruesi i detyrës së kryeshefit, Hajdar Hoxha, nuk do ta përdorë vulën e sapo-prodhuar.

Ilustrim: Kallxo.com

“Sa na përket neve, ai është ushtrues detyre legjitim dhe në plotni me ligjin dhe pajisja e tij me vulën nuk na duket asgjë absurde, absurde është që të qëndrojë vula dhe asetet në duar dhe në kontrollin e një njeriut i cili qëndron jashtë mandatit të tij në atë objekt”, tha Kukaj.

I pyetur se si është e mundur që një institucion ka dy vula të ndryshme dhe se çfarë kaosi mund të krijohet nëse dy vula gjenden në përdorim, Kukaj thotë se këto janë ‘mendime konspirative’.

“Vetëm një mendje mbase krejt konspirative mund të prodhonte diçka, unë nuk shoh diçka problem. Nuk mendoj që është situata që njëra vulë është false”, tha tutje Kukaj.

Dren Kukaj. Foto: Kallxo.com

E Kukaj thotë që edhe pse kanë një vulë tjetër, nuk do ta përdorin pa u qartësuar puna e ndërmarrjes.

“Asnjë vendim z.Hajdar Hoxha nuk do ta marrë pa iu mundësuar të shkojë në zyrat e Ndërmarrjes”, tha Kukaj.

Ai nuk tregon se në cilin vend e kanë prodhuar këtë vulë.

“Nuk e di ku e kemi marrë këtë vulë, sigurisht në ndonjë vulë-punues që është në qytet, të cilit u janë paraqitur dokumentacioni dhe e ka paraqitur. Nuk është problem që jemi pajisë me vulë”, tha Kukaj.

“Për neve është e rëndësishme që ushtruesi I detyrës së kryeshefit të pajisjet me vulë, sepse ajo është e uzurpuar”, tha tutje Kukaj.

Pas ndarjes së VV-së në dysh, Kukaj tani i përket grupit të zyrtarëve që kanë kaluar në Partinë Social- Demokrate.

Në anën tjetër, Nexhat Kryeziu, që po vazhdon të qëndrojë si kryeshef i NPB-së i mbështetur nga grupi i asambleistëve të VV-së, tha për KALLXO.com se vula origjinale gjendet brenda objektit të NPB-së, ndërsa e sheh si vepër penale krijimin e një vule të dytë.

“Nuk e di se me çfarë baze juridike ka të drejtë dikush që të prodhojë vulë. Ma merr mendja që kjo është shkelje penale dhe mendoj që ai që e ka prodhu dhe këta që e kanë përdorë kanë përgjegjësi penale edhe mbajnë përgjegjësi për vulosjen e ndonjë dokumenti që nuk është i NPB-së”, tha Nexhat Kryeziu në intervistën dhënë për KALLXO.com.

Sipas tij, fakti që ekzistojnë dy vula është shqetësuese pasi që me të edhe mund të bëhen transfere të pronave.

Nexhat Kryeziu. Foto: Kallxo.com

“Fakti që po ekzistojnë dy vula është shumë shqetësuese për ne, pasi që të dyja mundet me prodhu dokumente që munden me interferu në vendime të ndryshme të institucioneve tona, qoftë të ministrive, bankave, qoftë të gjykatave apo edhe të transferit të pronave. Kjo është bërë për qëllime të veta personale e ndoshta iu nevojitet për ndonjë transfer të pronave, ata munden me dhanë prona dhe kjo nuk mund të mbikqyret”, tha Kryeziu gjatë intervistës për KALLXO.com.

Ai thotë se statuti i ndërmarrjes e thotë që NPB ka vetëm një vulë.

Kryeziu thotë se Dren Kukaj dhe komisioni i aksionarëve nëse do ta kishin kërkuar përdorimin e vulës në NPB, do ta merrnin.