Procesit Ndaj Shukri Bujës i Vjen Fundi

Gjykata e Prishtinës  do e shpallë të mërkurën verdiktin e saj për ish kryetarin e Lipjanit, Shukri Buja.

Vendimi për dënimin ose shpalljen e Bujës të pafajshëm është paraparë të shpallet në ora 9 në njërën nga sallat e Gjykatës Themelore të Prishtinës.

Me aktakuzën e saj, prokuroria pretendon se Shukri Buja ka kryer veprën penale të mosdeklarimit të pasurisë gjatë kohës kur ai ishte në krye të Komunës së Lipjanit.

Pak minuta pas përfundimit të seancës së fundit gjyqësore Buja, u shpreh i bindur se do shpallet i pafajshëm.

“Verdikti final duhet të më lirojë nga akuza, sepse nuk ka asnjë bazë për të më ndjekur, përderisa mund të verifikohet lehtë se 12 herë e kam deklaruar pasurinë, nuk kam pasur ndonjë arsye për të mos e deklaruar”, tha Buja.

Ai pati disa fjalë për sistemin gjyqësor duke e kritikuar atë për tejzgjatje të procesit ndaj tij.

“Procesi është stërzgjatë me arsye të ndryshme, madje edhe banale. Ne i paraqitëm argumentet tona, përderisa nuk kam pas asnjë arsye për të mos e deklaruar pasurinë, pasi që e kam deklaruar gjatë gjashtë viteve mandat si kryetar, kam deklaruar gjashtë herë pasurinë, tri herë e kam deklaruar si kandidat për kryetar të komunës, dy herë e kam deklaruar pas marrjes së detyrës si kryetar dhe njëherë si kandidat për deputet”, tha Buja.

Shukri Buja qeverisi me Lipjanin nga viti 2007 deri në vitin 2013 kur i humbi zgjedhjet nga kundërkandidati Imri Ahmeti.

 

http://kallxo.com/shukri-buja-nervozohet-ne-gjykatesen-dhe-prokuroren/