Monumenti 'Heroinat' në Prishtinë. Foto: Kallxo

Procesi i regjistrimit të viktimave të dhunimeve të luftës i lëkundur

Të mbijetuarat e dhunimeve të luftës në Kosovë kanë thuajse dy dekada që luftojnë që të njihen, por që kur u hap procesi i verifikimit, disa prej tyre kanë hezituar të aplikojnë, duke u druajtur se mund të stigmatizohen dhe izolohen.

Katër muaj pasi autoritetet e Kosovës hapën aplikimet për verifikim të viktimave të dhunës seksuale gjatë kohës së luftës, e cila do t’u mundësojë atyre të marrin përfitime shtetërore, janë marrë më shumë se 530 aplikime – më pak sesa pritej.

Kryetarja e Komisionit të qeverisë së Kosovës për të Njohur dhe Verifikuar Mbijetuarat e Dhunës Seksuale Gjatë Luftës së Kosovës, Minire Begaj, tha për BIRN se numri i aplikuesve është zvogëluar që nga fillimi i procesit.

“Në fillim, kishim përshtypjen se do të kishte interes të madh në aplikim, por ditët e fundit, aplikimet kanë qenë shumë të rralla,” tha Begaj.

Të mbijetuarat e dhunës seksuale nga lufta e viteve 1998-1999 në Kosovë kanë luftuar pothuajse për 20 vjet për njohjen e statusit të tyre, por shumë prej tyre kanë hezituar të aplikojnë, duke iu trembur stigmës dhe izolimit.

Katër OJQ-të e Kosovës të licencuara për të pranuar aplikimet dhe zyrat komunale që merren me familjet e viktimave dhe veteranëve të luftës thonë se kanë mbledhur më shumë se 530 aplikime.

Më shumë se 200 prej këtyre aplikimeve janë shqyrtuar deri më tani, 140 prej tyre u është dhënë statusi i viktimës së dhunës seksuale gjatë luftës dhe rreth 70 janë refuzuar.

“Frika e mbetur nga stigma që përjetuan i bën ato të hezitojnë për të aplikuar,” tha Veprore Shehu, kreu i Medica Kosova, një OJQ në qytetin jugperëndimor të Gjakovës në Kosovë, e cila është e autorizuar të mbledhë aplikime.

Shehu tha se procesi po has gjithashtu vështirësi për shkak të keqkuptimeve rreth kritereve të aplikimit.

“Kemi raste në të cilat grave u kërkohet të sigurojnë prova nga spitali mbi abortet si pasojë e përdhunimit. Por këto raporte mjekësore janë shkatërruar për shkak të frikës së tyre se mos zbuloheshin,” tha ajo.

Në shumicën e rasteve, komisioni kërkon raporte mjekësore nga viktimat, sidomos për aplikuesit që nuk janë regjistruar më parë si viktima lufte.

Zyrtarët e Komisionit mohuan se kriteret e aplikimit janë të ashpra ose të komplikuara.

“Ne po kërkojmë prova për atë që aplikuesit e kanë deklaruar veten,” shtoi Begaj.

Sipas personave të përfshirë në mbledhjen e aplikimeve, shumica e atyre që u janë refuzuar aplikimet ishin paraqitur drejtpërdrejt nga viktimat e dyshuara pa u konsultuar me OJQ-të e licencuara dhe janë dorëzuar nëpërmjet departamenteve komunale që merren me viktimat e luftës.

Begaj konfirmoi se kërkesat e refuzuara shumica ishin paraqitur nga vetë aplikuesit të cilët i dërguan ato nëpërmjet zyrave komunale “me shumë mangësi”.

Komisioni ka ngritur një skemë e cila është projektuar për të mbrojtur identitetin e aplikuesve gjatë shqyrtimit të aplikimeve duke u caktuar kode. Megjithatë, ndonjëherë aplikuesit thirren për t’i marrë në pyetje gjatë procesit të rishikimit.

Flora Macula, drejtoreshë e zyrës së UN Women në Kosovë, e cila po e mbështet procesin duke ofruar trajtim për viktimat, këmbënguli se komisioni ka “kapacitete të mjaftueshme profesionale për të trajtuar këtë proces delikat”.

Viktimat nga zonat rurale, megjithatë, hasin vështirësi në marrjen e dokumenteve që vërtetojnë se kanë marrë trajtim mjekësor, kanë lindur ose kanë pasur aborte si rezultat i përdhunimit nga qendrat mjekësore që u krijuan për refugjatët në Shqipëri, Maqedoni ose Mal të Zi pasi u dëbuan nga shtëpitë e tyre.

Viktimave u është kërkuar gjithashtu që të përfshijnë deklaratat që u kanë dhënë prokurorëve në hetimet në të cilat ato janë marrë në pyetje si viktima përdhunimi.

Megjithatë, viktimat që nuk kërkuan trajtim ose nuk posedojnë ndonjë raport mjekësor, rrezikojnë që kërkesat e tyre të refuzohen.

“Ne duhet të jemi të kujdesshëm sepse ka viktima që e kanë mbajtur sekret përdhunimin për shumë vite duke mos kërkuar ndonjë lloj trajtimi,” tha Shehu.

Parlamenti i Kosovës miratoi legjislacionin në 2014, i cili njeh statusin e të mbijetuarve të dhunës seksuale të kohës së luftës dhe u jep atyre një pension mujor prej 220 eurosh.