Fakulteti Filozofik i UP-së.

Problemet në studimet e doktoratës në shkencat shoqërore në UP

Në raportin “Orteku në Arsimin e Lartë: Studimet e Doktoratës në Shkencat Sociale dhe Humanistike në Universitetin e Prishtinës” i realizuar nga Instituti Kosovar për Kërkime dhe Zhvillim të Politikave (KIPRED) dhe Qendrës për Kurajo Politike (CPC) është analizuar cilësia e studimeve të doktoraturës në shkencat shoqërore dhe humanistike të UP-së.

Ky raport sheh si problematikë kriteret për pranimin e kandidatëve në studimet e doktoratës, buxhetin e vogël të ndarë për hulumtime shkencore.

Po ashtu është potencuar edhe problemi i mentorëve të cilët udhëheqin kandidatët në doktoraturë dhe që i kanë fituar titujt, profesor i rregullt, profesor i asocuar dhe profesor asistent para miratimit të Rregullores për Procedurat Përzgjedhëse lidhur me emërimin, riemërimin dhe avancimin e personelit akademik në UP.

Në raport është trajtuar edhe problemi i ndërkombëtarizimit të shkencës në Kosovë, kjo duke i bërë studimet e doktoratës në gjuhën angleze, në mënyrë që edhe punimet shkencore të shkruhen në gjuhën angleze dhe të testohen nga softueri anti-plagjiat për të shmangur plagjiaturën.

Shqyrtimi i kritereve të pranimit në studimet e doktoraturës

Kriteret për përcaktimin e përparësisë në radhitjen përzgjedhëse janë nota mesatare, aktiviteti kërkimor-shkencor dhe njohja e gjuhës angleze ose ndonjë gjuhe tjetër botërore.

Nota mesatare në studimet themelore dhe ato master vlerësohet me vlerë maksimale prej 40 pikësh, përkatësisht, 20 pikë maksimale për notën mesatare në studimet themelore, dhe 20 pikë maksimale për notën mesatare në studimet master, ku nota mesatare minimale për të dyja këto nivele është 8.00.

Aktiviteti kërkimor-shkencor vlerësohet me 35 pikë, ku vlerësohen artikujt e botuar në pesë vitet e fundit të indeksuar në Current Contents, artikujt e botuar në pesë vitet e fundit në revista të tjera ndërkombëtare të indeksuara, artikujt e botuar në pesë vitet e fundit në revista të tjera ndërkombëtare të indeksuara, artikujt e botuar në pesë vitet e fundit në revista akademike vendase, librat universitarë të botuar në pesë vitet e fundit, prezantimet gojore të punimeve në pesë vitet e fundit në tubimet shkencore ndërkombëtare, si dhe prezantimet gojore në tubimet shkencore vandase.

Dhe së fundi, njohuria e gjuhës angleze, ose e një gjuhe të huaj botërore, vlerësohet deri në 20 pikë. Këtyre kritereve në praktikë u është shtuar edhe ai i provimit pranues, që vlerësohet deri në 20 pikë.

“Këto kritere për pranim në studimet doktorale i konsiderojmë si të pamjaftueshme dhe që krijojnë hapësirë për vlerësim jo-obligativ të aplikuesve, gjë kjo që ka implikime të drejtpërdrejta në cilësinë e këtyre studimeve”,  thuhet në raport.

Në raport propozohet që njohja e gjuhës angleze të mos jetë kriter vlerësues, por eliminues, për pranim në studimet doktorale, dhe që dokumentimi i njohjes së gjuhës angleze të bëhet përmes testit TOEFL.

Prorektori për kërkime shkencore në UP, Faton Berisha tha që studimet e doktoratës në gjuhën angleze janë në strategjinë e UP-së.

“Tani nuk janë duke u akredituar programet në gjuhën shqipe”, ka thënë Berisha.

Sipas analizës konsiderohet që kriteri i notës mesatare dhe i aktivitetit kërkimor-shkencor në Rregulloren për Studime të Doktoratës janë përcaktuar ashtu që të krijojnë parakushte për cilësinë e duhur të studimeve doktorale, dhe si të tilla nuk kanë nevojë të ndryshohen.

Shqyrtimi i cilësisë së studimeve të doktoratës

Në bazë të Rregullores për Studime të Doktoratës, të drejtë për të udhëhequr kandidatë për doktoratë kanë mësimdhënësit me tituj akademik, profesor i rregullt dhe profesor i asocuar, që janë me marrëdhënie të rregullt të punës në UP.

Po ashtu, mentor mund të jenë edhe profesorët asistentë që i kanë të botuara të paktën tri punime në revista me recension ndërkombëtar.

“Mirëpo, një pjesë mjaft e madhe e profesorëve që mbajnë titujt përkatës akademik ë, nuk i plotësojnë kriteret e përcaktuara me Rregulloren për Procedurat Përzgjedhëse lidhur me emërimin, riemërimin dhe avancimin e personelit akademik në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, meqë ata këta tituj i kanë fituar para miratimit të Rregullores në fjalë”, theksohet në raport.

Tryeza për prezantimin e cilësisë së studimeve të doktoratës në shkencat shoqërore në UP, Foto: Kallxo.com

Sipas raportit në studimet doktorale ky problem është edhe më i madh, dhe posaçërisht për kategorinë e profesorëve të rregullt, të cilët edhe po t’i plotësojnë kushtet e zgjedhjes në pajtim me Rregulloren e sipërpërmendur për Procedurat Përzgjedhëse, nëse nuk botojnë për një kohë pas zgjedhjes do të dalin nga rrjedhat e hulumtimit shkencor, dhe rrjedhimisht, nuk do të jenë në gjendje që me sukses të mentorojnë kandidatë doktoralë.

Në hulumtim është diskutuar që ngarkesa e mentorëve të temave të doktoratës me mësimdhënie në nivelet më të ulëta të studimeve ka ndikim të madh në cilësinë e studimeve doktorale.

“Është e domosdoshme që ata të shkarkohen në një masë të madhe nga obligimet e mësimdhënies në nivelet Bachelor dhe Master, asht që kohën e tyre ta shfrytëzojnë për mentorim sa më cilësor, përfshirë këtu edhe konsultimin e literaturës së re”, vazhdon raporti.

Si nevojë urgjente është parë ndërkombëtarizimi i veprimtarisë shkencore që zhvillohet në Kosovë.

“Është i domosdoshëm edhe përvetësimi i gjuhës angleze si gjuhë në të cilën do të zhvillohen studimet doktorale, si dhe do të shkruhen tezat e doktoratës në UP. Plotësimi i këtij kriteri do të mundësonte, pos tjerash, eliminimin e mundësive për plagjiaturë, përmes aplikimit të softuerëve anti-plagjiat në gjuhën angleze”, thuhet në raport.

Sipas raportit, si nevojë fundamentale për rritjen e cilësisë së studimeve doktorale në Universitetin e Prishtinës është rritja e kapaciteteve hulumtuese të tij.

“Edhe përkundër faktit që në Misionin e vet Universiteti i Prishtinës e ka të theksuar punën kërkimore shkencore, kjo nuk është e reflektuar në buxhetin e tij vjetor që e kapë shumën prej 33,834,712 euro”, thuhet në raport.

Arben Hajrullahu nga Qendra për Kurajo Politike (CPC), gjatë prezantimit të raportit tha se për të pasur cilësi në studimet e doktoraturës duhet të ndahet më shumë buxhet për hulumtimet shkencore.

“Ma trego buxhetin të tregoj se ku e ke preferencën, 0.1 për qind e buxhetit është i ndarë për hulumtimet shkencore. Me këtë buxhet nuk mundesh me bo shkencë”, ka thënë Hajrullahu.

Si problem i ngecjes së kërkimeve shkencore në UP realisht është parë mosplanifikimi i hulumtimeve, si nga njësitë akademike, ashtu edhe nga vetë Univerisiteti.

“Për trajtimin dhe zgjidhjen e këtij problemi është e domosdoshme që në buxhetin e UP-së të ketë linjë të veçantë buxhetore për hulumtim”, theksohet në raport.