Problemet në Gjakovë, 'Fajet' në Prishtinë

Gjakova ka probleme të ndryshme por çështja e punësimit është ajo që mbizotëron në debatet me kryetaren e komunës, Mimoza Kusari- Lila.

Dy vjet më parë, në zgjedhjet lokale të vitit 2013, ajo kishte vendosur “të zbresë”në Gjakovë për t’i hyrë garës për kryetare të komunës kundër Pal Lekajt të AAK-së.

Në fakt, ekonomistja që kishte nisur karrierën në Prishtinë si zëdhënëse e qeverisë së parë legjitime të Kosovës së pasluftës, kontrollin e Gjakovës e kishte synuar edhe katër vjet më parë, në 2009, por qe ndarë me humbje pikërisht nga Lekaj.

Herën e dytë u tregua më e zonja në fushatë.

Komuna që ajo po e merrte në menaxhim në ka pasur një të kaluar ekonomikisht të çuditshme.

Deri në vitin 1990, Gjakova ishte ndër komunat më të zhvilluara në Kosovë. Fabrikat punonin dhe njerëzit nuk shihnin fort nevojë për të kërkuar punë dikah tjetër, sidomos jashtë Kosovës.

Fundi i ekonomisë socialiste u krijoi telashe banorëve të komunës ndërsa shkatërrimet e luftës së viteve 1998 dhe 1999 në njerëz dhe në prona shumëfishuan vuajtjet, pasojat e të cilave Gjakova po i paguan edhe sot.

Kusari- Lila ka dalë në janar para Jeta Xharrës dhe asamblistëve të komunës që e drejton për të dhënë llogari për ato që ka bërë dhe nuk ka bërë në krahasim me ato që kishte premtuar se do të bëjë dy vjet më parë.

Atëherë Mimoza Kusari- Lila kishte premtuar një rimëkëmbje ekonomike, por pas dy viteve asaj i ka mbetur të gjejë arsyetime pse nuk ka mundur t’i realizojë të gjitha ato.

Premtimi i dhënë në debatin parazgjedhor në “Jeta në Kosovë” se në Gjakovë do punësohen mbi 2 mijë veta në kuadër të projekteve të punësimit bëri që asamblistët të diskutojnë për këtë problem.

Kryetarja e komunës thotë se në bazë të vlerësimeve të Institutit GAP, në gjysmën e mandatit ajo i ka përmbushur 40 përqind të premtimeve të bëra.

“Komuna e Gjakovës e ka trendin pozitiv të rritjes në të gjitha aspektet, duke përfshirë punësimin, promovimin e investimeve, tërheqjen e donacioneve dhe projekteve madhore të infrastrukturës”, tha Kusari- Lila.

Por shefja e grupit të këshilltarëve të partisë opozitare, AAK, Saranda Hyseni tha se ekonomia në Gjakovë vetëm se është tkurrur.

“Dështimet nuk kanë të ndalur, papunësia është rritë, zhvillimi ekonomik ka mbetur vetëm premtim elektoral”, tha Hyseni.

Sipas saj edhe Aeroporti i Gjakovës është një dështim ndërsa ambienti biznesor nuk është i mirë, sepse “biznes bëjnë vetëm të afërmit e Kryetares”.

Për dallim nga Hyseni, Kusari- Lila e konsideron sukses numrin e të punësuarve.

“Në ATK në nga shifrat që janë vlerësuar prej vitit 2013 deri në vitin 2015 del që 440 persona të rinj javë e vetëm 12 në sektorin publik”, tha Kusari Lila

Ajo thotë se kur e ka marrë mandatin e kryetares , komuna e Gjakovës ka pasur “nivelin më të madh të borxheve dhe nivelin më të madh të problemeve”.

Sipas saj, gjysma e fshatrave të Gjakovës nuk kanë pasur qasje në ujë të pijshëm dhe 40 për qind e rrugëve të fshatrave dhe 30 për qind e rrugëve të qytetit nuk kanë qenë të asfaltuara.

Sipas saj Gjakova është komuna e parë që ka mbështetur bizneset ndërsa llogarit edhe subvencionet në bujqësi si sukses i qeverisjes së saj në drejtim të zhvillimit ekonomik.

Për disa nga ata që janë punësuar Kusari Lila tregoi se ku kanë zënë vend.

“Tash gati në 200 ka mbrri numri i të punësuarve në Intertex, pritet të rritet ky numri edhe në 40 të tjerë në javët në vijim është gjithashtu blerja e një ndërmarrjeje nga Prishtina, BAU IMN, e cila deri më tash ka investuar gati 6 milionë euro”, tha Kusari- Lila

Ajo tha se qeveria komunale, me anë të subvencioneve ka paguar edhe fatura të lojtarëve e të klubeve.

Agon Batusha nga Lëvizja Vetëvendosje tha se çështja e njohur si fabrika e kërpudhave ka qenë e pa sqaruar mirë prandaj është krijuar mjegull në asamble dhe më vonë ka rezultuar që investitori është larguar.

“Ne e kemi kundërshtuar. Nuk kanë qenë vetëm kundërshtime të opozitës por edhe të pozitës, Agjencia kundër korrupsioni e ka dhënë që është konflikt interesi sepse babai i kryeshefit ekzekutiv është asamblist këtu”, tha Batusha.

Sipas tij kjo kompani është tërhequr dhe është pezulluar puna e komisionit.

Por Kusari- Lila tha se është prezantuar kërkesa e kësaj kompanie dhe pastaj është dorëzuar të kryesuesi i asamblesë komunale.

“Kur e kanë dorëzuar kërkesën e kemi dorëzuar në asamble me të njëjtin emër, nuk kemi bërë mjegull. Unë e kam pyetur Agjensionin Kundër Korrupsion a të vazhdojmë me nënshkrim të kontratës a ta pezullojmë. Kam e-mail zyrtar nga z. Hasan Preteni ku thotë që të procedohet por vetëm të ndiqet rasti i një zyrtari përderisa procedura nuk ndalet”, tha Kusari Lila.

Batusha tha se këtu ka pasur konflikt interesi.

Në debat u fol edhe për dhënien e posteve në bordet publike.

Jeta Xharra pyeti përse Nora Gola, kunata e kryesuesit të asamblesë komunale të Gjakovës Luan Gola, ka dy postë në Bordin e Aeroportit në Gjakovë dhe në Kompaninë për Menaxhimin e Mbeturinave “Çabrati”. Njëjtë edhe Ardit Rizvanolli, vajza e tezes së Kryetares Kusari- Lila.

“Të gjitha konkurset kanë qenë të hapura. Sot mund ta ripërsërisim konkursin (për Çabratin) dhe ata të dalin në panel publik”, tha kryetarja.

Qytetarë të shumtë kanë raportuar në KALLXO.com për gjendjen e rëndë të lumenjve të Gjakovës dhe varrezave të dëshmorëve. Pastrimi i tyre bie pikërisht nën përgjegjësinë e kompanisë në të cilën punon vajza e tezes së kryetares.

Por Mimoza Kusari- Lila tha se nuk ka ndikuar për të punësuar vajzën e tezës së vet apo kunatën e kryesuesit Luan Gola.

Ajo tha se kanalizimet në qytetin e Gjakovës nuk kanë trajtim dhe paralajmëroi fillimin e një impianti të ujrave të zeza gjatë këtij viti.

Ky vit dhe ai që vjen pas tij janë të fundit në mandatin e parë të Mimoza Kusari- Lilës në krye të Gjakovës.

Ajo pret që në këtë kohë që i ka mbetur, të punojë në projekte të furnizimit të popullatës me ujë të pijshëm, ngritje të kualitetit të përgjithshëm të shërbimeve në komunë si dhe pasurim të jetës kulturore e sportive.

Në shumë raste gjatë debatit, mospërmbushjen e premtimeve të dhëna, Kusari- Lila ia faturoi situatave të bllokadës në institucionet qendrore të cilat dhe mungesës së organeve vendimmarrëse në Agjensionin Kosovar të Privatizimit.

Mimoza Kusari- Lila e ka një emnake në asamble.

Mimoza Shala përfaqëson Vetëvendosjen në këtë organ komunale.

Por nëse e ndajnë të njëjtin emër, jo domosdoshmërish edhe idetë e pikëpamjet.

“Kryetarja për çdo dështim të saj e përmend qeverinë qendrore kinse ia ka pengu punën…Tregoji qytetarit se nuk ka më retorikë boshe, na ke lodhë me retorikë boshe. Urdhno puno dhe trego që je në gjendje me qeverisë”, tha Mimoza Shala.