?????

Problemet e Përbashkëta Komunale për Tregjet Lokale

Raporti i dalë nga projekti i financuar nga Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) dhe implementuar nga Fondi për Zhvillim e Komunitet (CDF), identifikoi problemet me të cilat përballen tregjet në 16 komuna të vendit.

Ky raport konstatoi mungesën e një plani strategjik për mirëmbajtjen e tregut dhe vuri në dukje se shitësit mundohen edhe t’i pastrojnë vendet ku shesin.

Edhe mungesa e standardeve për sigurimin e cilësisë së ushqimit, shitja e produkteve të qumështit në kushte të cilat nuk i plotësojnë as standardet më të ulëta të kërkuara, mosngarkesa e shitësve me taksën në treg dhe mungesa e e strategjisë për menaxhimin e tregut janë top problemet e identifikuara nga raporti.

Në mesin e komunave e përfshira në këtë projekt, raporti thotë se Komuna e Kllokotit dhe ajo e Zveçanit nuk kanë fare treg lokal.

Drejtori I Hulumtimeve në Institutin Riinvest Alban Hashani, foli për çështjet që trajton raporti për tregjet lokale dhe mënyrën si i menaxhojnë tregjet komunat e përfshira në këtë projekt.

“Pika kryesore të raportit që do ta prezantojmë sot ka të bëjë me situatën aktuale dhe mënyrën se si komunat që janë pjesë e këtij projekti menaxhojnë tregjet lokale. Kemi parasysh që problemet janë të ngjashme duke filluar problemet pronësore, problemet të lokacionit, mënyra si menaxhohen dhe çështjet që lidhen me modelin biznesor të cilën këto tregje e ndjekin,” tha Hashani.

Në forum u tha se 16 komunat e përfshira në hulumtim ballafaqohen me probleme të përbashkëta, të cilat mund t’ua hapin mundësinë për bashkëpunim ndërkomunal, i cili është i rregulluar edhe me kushtetutë.

Nenad Maksimoviq udhëheqës i Komponentës së Angazhimit Qytetar në CDF, tha se tregjet lokale i bëjnë bashkë komunitetet në një vend, duke i fuqizuar prodhuesit e vegjël dhe gjithashtu kanë rëndësi për të ardhmen e vendit

“ Tregjet do të jenë vendet ku komunitet do të ndërveprojnë njëra me tjetrën, bashkëpunojnë njëra me tjetrën dhe do të gjejnë interesat e shqetësimit të përbashkët. Duke fuqizuar prodhues të vegjël, duke iu ofruar një vend të caktuar për paraqitjen, ekspozimin e produkteve të tyre dhe këmbimin e ideve, duke i vendosur në partneritet të përbashkët. Kjo është me rëndësi të madhe jo vetëm për këtë program, por shpresojmë për të ardhmen e Kosovës,” tha ai.

Krijimi i tregjeve mobile të fermerëve të ngjashëm me tregun mobil të krijuar në rajonin e Prishtinës, ndarja e hapësirave të përbashkëta nga komunat fqinje për krijimin e një tregu të caktuar-kryesisht për komunat e vogla, partneriteti publiko-privat përmes së cilit komunat të ndajnë hapësirë, objekte dhe infrastrukturë të përbashkët ndërsa operatori privat mund të jetë përgjegjës për menaxhimin dhe mirëmbajtjen e tregut, janë disa nga rekomandimet e raportit.

Raporti rekomandon edhe përpilimin e studimeve të përbashkëta të fizibilitetit  për zonat potenciale për zhvillimin e tregjeve dhe bashkëpunimin ndërkomunal gjatë hartimit të strategjive për menaxhimin, mirëmbajtjen dhe mbikëqyrjen e tregut.

Raporti gjithashtu përmend edhe praktikat e mira rajonale për bashkëpunim ndërkomunal si në Shqipëri ku rreth 96 mijë fermerë nga rajoni i Kukësit mund të shesin prodhimet në një treg të përbashkët.

Sipas raportit në Hungari tërheqja e investimeve përmes organizatave donatore ndikoi në ndërtimin e  1500 metrave katrorë sallë e hapur dhe 200 metrave katrorë të sallës së mbyllur, duke ofruar 45 pika të shitjes.

Gjithashtu në raport u përmend një treg i madh i fermerëve në Beograd ku komuna e Beogradit zotëron 69 të aksioneve, ndërsa pjesa tjetër është në pronësi të njësive lokale dhe në Maqedoni komuna e Vasilevës ka vendosur të krijojë një treg të madh për produktet bujqësore.

Komunat: Gjilan, Istog, Klinë, Obiliq, Pejë, Vushtrri, Graçanicë, Kllokot, Leposaviq, Mitrovicë e Veriut, Novobërd, Partesh, Ranillug, Shtërpcë, Zubin-Potok dhe Zveçan janë 16 komunat e përfshira në këtë projekt.

KALLXO.com në mars e prill të vitit të kaluar raportoi për tregun e Prishtinë të mbuluar nga mbeturinat.

http://kallxo.com/berlloku-e-mbulon-tregun-e-prishtines/

http://kallxo.com/tregu-i-prishtines-i-pushtuar-nga-mbeturinat/