Nga protestat për Haradinajn | Foto: KALLXO.com

Prizrenasit e Duan Haradinajn të Lirë, Akuzojnë Qeverinë dhe Europën

Të pranishëm në këtë protestë ishin edhe kryetari i komunës së Prizrenit, Ramadan Muja dhe ai i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj si dhe deputetë të Kuvendit të Kosovës.

Deputeti nga NISMA, Zafir Berisha, tha para protestuesve se ky tubim “nuk po bëhet kundër Francës” por, siç u shpreh ai, për ta mbrojtur ADN-në e këtij vendi, Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

“Për orë të tëra dje jemi mundu t’i bindim të gjithë se mbi të gjitha është Kosova dhe UÇK-ja, por ja që për fatin e keq të vendit dhe qytetarëve ka të tillë që ma të rëndësishme i konsiderojnë bisedimet me Serbinë sesa vet Kosovën në të cilën thirren dhe pretendojnë se e përfaqësojnë”, tha Berisha.

Edhe deputeti i AAK-së, Bali Muharremaj pati fjalë kundër qeverisë. Ai tha se kjo qeveri nuk arriti ta ndalojë ndërhyrjen e Serbisë në punët e brendshme të Kosovës, duke lejuar që “dialogu të rrëshqasë në pazare politike”.

“I bëjmë me dije qeverisë se nuk ka kohë të përfshihet në luks të qetësisë apo të marrë ilaçin qetësues për t’ i lënë gjërat të ecin gradualisht, por është koha t’u tregojmë se nuk tolerojmë të na prekin në vlerat tona kombëtare, në vlerat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, tha Muharremaj.

prizren2

 

Para të pranishmëve foli edhe kryetari i AAK-së për Prizren, Lulzim Kabashi, me kërkesën që të lirohet lideri Haradinaj.

Kërkesa patën edhe qytetarët, të cilët kishin dalë për të protestuar për lirimin e Ramush Haradinajt.

“Kam shpresë që do të lirohet se është njeri që e ka merituar lirinë. Ai ka qenë dy herë në gjyq të Hagës, nuk di mo çka”, tha Ukë Thaçi, qytetar nga Prizreni.

Edhe qytetari Shaban Miftari ka kërkesë të njëjtë.

“Kërkesa jonë është që ai të jetë sa ma shpejtë në liri. Jo vetëm ai, por Europa mos të veprojë më siç është duke vepru”, tha Shaban Miftari.

Protesta të ngjashme në kërkim të lirimit të Ramush Haradinajt u mbajtën sot edhe në qytete tjera të Kosovës.

http://kallxo.com/protesta-ne-peje-haradinaj-e-ka-deshmuar-pafajesine/

http://kallxo.com/ne-gjakove-kerkohet-lirimi-haradinajt-nga-burgu-francez/