Prizrenasi dënohet me burg, u kap me 100 mijë euro false, armë dhe municion

Ersun Maloku, pranoi fajësinë për akuzat që i ngarkoheshin nga Prokuroria për veprat penale të mbajtjes në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve dhe për falsifikim të parasë, ku vlera ka tejkaluar mbi 100.000 Euro.

Në shqyrtimin fillestar pas leximit të aktakuzës nga Prokurori i shtetit Metush Biraj, i akuzuari Ersun Maloku e pranoi fajësinë për të dyja veprat që i ngarkoheshin nga ana e Prokurorisë, me çka gjykatësja e rastit Ajser Skenderi, morri aktvendim dhe u pranua fajësia e të akuzuarit për veprat penale sipas aktakuzës.

Gjykatësja e rastit Ajser Skenderi i shqiptoi dënimet për veprën penale mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar i armëve, i shqiptoi dënimin me burgim në kohëzgjatje prej 1 viti, ndërsa për veprën penale të falsifikimit të parasë i shqiptoi dënimin me burgim prej 2 vite e 6 muajsh.

Më tutje konform dispozitave ligjore gjykatësja e rasatit i shqiptoi dënimin unik me burgim në kohëzgjatje prej 3 vitesh, në të njëjtën kohë iu ndërpre masa e paraburgimit.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë së Shtetit i akuzuari Ersun Maloku akuzohej se me datë 11.05.2018, në rrugën ”Zahir Pajaziti” në Prizren, në veturën e tij ka mbajtur të fshehur pistoletën e tipit ”Glock”, kurse në banesën e tij ka mbajtur të fshehur 64 fishekë të kalibrit të panjohur dhe 87 fishekë me gaz, një shufër metalike me fotroll, një sprej, një elektroshok, një granat dore, një karikator dhe një palë pranga me fotroll.

Gjithnjë sipas aktakuzës, me datën e njëjtë 11.05.2018, ka poseduar para të falsifikuara me qëllim që t`i vë në qarkullim si të vërteta, sasia e të cilave ka tejkaluar shumën prej 100.000 Euro.

Palët ndaj vendimit të gjykatës kanë të drejtë ankese vetëm sa i përket lartësisë së dënimit.