Vendi ku vdiq Xheneta Gashi - Foto: KALLXO.com

Prizren: Nëna rrëfen se si tre vjeçaren e mbuloj muri i dheut

Më 6 qershor të vitit 2016, Xheneta po luante në rrugë dhe nga shembja e shtëpisë afër vendbanimit të saj ajo pësoi plagë të rënda në kokë dhe në trup, të cilat i morën jetën.

Kur kishte kaluar më shumë se një vit nga rasti tragjik, Prokuroria Themelore e Prizrenit kishte ngritur aktakuzë ndaj ish-drejtorit të Emergjencave dhe Sigurisë në Komunën e Prizrenit, Bedrija Ejupagiç, rreth rastit të vdekjes së Xheneta Gashit nga shembja e një shtëpie në Qendrën Historike në Prizren.

Prokuroria e Prizrenit akuzon Ejupagiçin që në mënyrë indirekte ka shkaktuar vdekjen e saj duke mos vendosur pajisje mbrojtëse përreth shtëpive që kishin rrezik të shembeshin, raporton KALLXO.com.

https://kallxo.com/komunaret-e-prizrenit-akuzohen-per-vdekjen-e-3-vjecares-xheneta-gashi/

Sipas Prokurorisë, i akuzuari ka kryer veprat penale shkaktim i rrezikut të përgjithshëm dhe mosevitim i rrezikut.

E tash kur po bëhen gati 3 vjet nga tragjedia e ndodhur në atë rrugë, ka filluar të mbahet gjykimi ndaj ish-drejtorit Ejupagiç.

Në Gjykatën Themelore Prizren janë mbajtur seanca fillestare dhe seanca e dytë, e tash rasti ka hyrë në gjykim kryesor, pasi që edhe është aprovuar aktakuza.

Gjyqtarja e rastit, Teuta Krusha, kishte caktuar disa seanca për mbajtjen e shqyrtimit kryesor, por e dëmtuara Lirie Gashi, nëna e viktimës, nuk ishte paraqitur nëpër seanca dhe pa prezencën e saj nuk mund të vazhdohej sepse e njëjta do të dëgjohej edhe si dëshmitare, pasi që kishte qenë prezent kur edhe ka ndodhur rasti, raporton KALLXO.com.

Gjyqtarja Krusha pas disa tentimesh ka arritur ta gjejë adresën e të dëmtuarës Lirie Gashi, e cila u paraqit me përfaqësuesin e saj, avokatin Gentian Krasniqi.

Në Gjykatë, Lirie Gashi rrëfeu se si rrodhi ngjarja më 6 qershor 2016.

Ajo tregoi se përkundër ankesave në Inspektorat e Komunë, të njëjtit nuk e kanë trajtuar rastin e saj, rreth 3-4 muaj para ditës tragjike.

Nëna e Xhenetës së ndjerë tha se i kujtohet mirë dita kritike. Ajo tha se atë ditë ka qenë duke rënë shi.

Ajo kishte qenë në shtëpi me dy fëmijët e saj. Pastaj, fëmijët i kishin marrë leje për të dalë në lagje.

“Unë i mora fëmijët e dola bashkë me ta, e unë u ndala qaty tu fol me kunatën teme, e sa jemi kanë tu fol, ka fillu prej asaj shtëpisë së vjetër prej nalt me ra dheu”, tha Lirie Gashi.

“Unë shpejt shkova edhe e kapa djalin, e largova prej aty, por kur u ktheva me kap çikën Xhenetën, ne na ra dheu te dyjave përmbi, e nuk mujtëm me dalë prej peshës. Unë kam pshtu, por çika nuk pshtoi se e vogël, 3-vjeçe u kanë e nuk ka mujtë me mbijetu, për shkak të lëndimeve që i ka pasë në krye e tjera lëndime të rënda”, rrëfeu Lirie Gashi.

Ajo tregon se shtëpia që është rrënuar e shembur ka qenë e bashkuar me shtëpinë ku e njëjta ka jetuar me 2 fëmijët e saj, nëna e saj, dhe kunata me dy fëmijë të tjerë. Por edhe shtëpia ku kanë banuar ka qenë e vjetër dhe në kushte të rënda.

Ajo vazhdoi dëshminë e saj duke treguar se në atë shtëpi kishte jetuar rreth 5 vite dhe se fëmijët vazhdimisht kanë qenë afër atyre objekteve.

“Gjithmonë qaty kanë lujtë fëmijët, por kur ka pasë ditë me shi, i kam rujtë, s’i kam lanë me u afru se shpijat ishin të vjetra e të ndërtuara me qerpiç edhe sa herë që është lagur vendi vazhdimisht ka pasur rënie të dheut”, tha Lirie Gashi, raporton KALLXO.com.

Prokurorja e rastit, Elfete Porova, i kërkoi dëshmitares që të sqarojë se a ka kërkuar ndihmë nga organet kompetente, qoftë komunale apo organe të tjera, dhe se a ka paraqitur ankesa për gjendjen e ndërtesave ku ajo po jetonte.

Lirie Gashi tha që disa herë u është drejtuar organeve komunale e inspektorateve ku e kanë udhëzuar.

Sipas Lirie Gashit ajo i është drejtuar organeve komunale afërsisht në muajin shkurt, pra rreth 4 muaj pa ndodhur rrënimi dhe shembja e shtëpisë.

Nëna e viktimës rrëfen se kur ka ndodhur në shembje e vogël, e njëjta kishte shkuar në organet komunale në Prizren, e nga të njëjti ka marrë premtim se do ta rregullojnë dhe do të evitojnë rrezikun në ato objekte.

“Ata nuk na kanë dhanë naj dokument e naj sen, po në bazë të kërkesës tonë gojore kanë ardhur zyrtarë komunalë të Prizrenit, dhe kanë bërë shikimin në vendin e ngjarjes”, shtoi ajo.

“M’kanë thanë largohu për nja 3 ditë e masandej na ta gjejmë strehimin, e edhe i zgjidhim problemet me këto objekte të vjetra, e unë kam shku për 3 ditë me ni shtëpi tjetër me nejtë, po dikur u detyrova me u kthy prapë qaty se s’kisha ku me jetu tjetër”, shtoi Liria.

Ajo tregoi se pas kthimit në shtëpinë e vjetër më nuk kanë ardhur askush nga zyrtarët komunalë për ta zgjidhur as problemin e banimit as problemin e rrezikut të shembjes nga shtëpitë e vjetra.

“Deri në qershor, ditën kur u shemb shpija, janë kanë vetëm 1 herë, por jo për me rregullu ato shpija të vjetra, e as me na gjetë vendbanim tjetër, por kanë ardhur disa inspektorë bashkë me dy policë edhe i kanë largu do mbulojsa që unë e kunata i kemi vendos aty te muret për mos me rreziku me u rrxu muri. Ka pasë dyer të drurit, do karrige që i kemi pasë vendos aty te muri i vjetër”, shtoi ajo.

“Po ata erdhën me i largu ato senet që i patëm vendos na, por nuk na thanë se çka do të bëhet me ne, e unë i luta mos me i largu ato që i kishim vendos aty me kunatën se jemi friku nga shembja e murit, por inspektorat mu kanë drejtu me fjalë fyese: “Mshele gojën! Unë nuk i ves flliqajkat”, shtoi më tej e ëma e Xhenetës së ndjerë.

Ajo tregon se kishte paralajmëruar inspektorët për rrezikun e  shembjes.

“U thash inspektorëve se me mi ndodh diçka fëmijëve, ju keni me jap përgjegjësi, se po i hekni këto mbrojtëset që i kemi vendos e kunatën”, tha Lirie Gashi.

Për shkak të përfundimit të orarit të punës u ndërpre seanca gjyqësore, e cila do të vazhdojë më 7 mars, kur e dëmtuara Lirie Gashi do të vazhdojë dëshminë e saj për t’iu përgjigjur edhe pyetjeve të mbrojtësit të të akuzuarit Bedrija Ejupagiç, avokatit Fatmir Jëlliqi, si dhe të gjyqtares së rastit.

Gjyqtarja Teuta Krusha e luti të dëmtuarën Lirie Gashi që të paraqitet rregullisht nëpër seanca dhe për çdo pengesë të lajmërojë Gjykatën, sepse prania e saj është e domosdoshme që gjykimi të vazhdojë pa pengesa.

Ndërkohë pas të dëmtuarës Lirie Gashi, gjykimi do të vazhdojë me dëshmitarë të tjerë që janë të propozuar nga Prokuroria, apo nga mbrojtësi i të akuzuarit.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Bedrija Ejupagiç, në cilësi të personit përgjegjës pranë Komunës së Prizrenit, përkatësisht drejtor i Drejtorisë për Emergjenca dhe Siguri në Komunën e Prizrenit, nga pakujdesia nuk ka ndërmarrë masat për vendosjen e pajisjeve mbrojtëse përreth shtëpive para shembjes, në rrugën “Marin Barleti” në Prizren për të evituar rrezikun, në atë mënyrë që me datë 06.06.2016, rreth orës 15:30 minuta, fëmija Xheneta Gashi, e lindur me datë 07.08.2012 derisa ishte duke luajtur në rrugë nga shembja e shtëpisë pëson plagë në kokë dhe në trup, ashtu që nga plagët e marra ndërron jetë.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Bedrija Ejupagiç me këto veprime ka kryer veprat penale – shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm dhe mosevitimi i rrezikut.