Gjykata në Prizren | Foto: KALLXO.com
Prizren, Gjykata vendos për ekstradimin e të kërkuarit nga INTERPOL-i
Republika e Kosovës, përkundër faktit që është hera e dytë që i refuzohet anëtarësimi në Organizatën e Interpolit, Gjykatat dhe Prokuroritë po vazhdojnë me sukses t`i përmbushin kërkesat e shteteve anëtarë të BE-së, lidhur me ekstradimin e personave të kërkuar nga këto shtete, të dyshuar për kryerjen e veprave penale të cilat parashihen edhe me Kodin Penal të Republikës së Kosovës.
https://kallxo.com/kosova-nuk-pranohet-ne-interpol/
Një seancë për ekstradimin e të dyshuarit të kërkuar nga shteti i Francës u mbajt sot në Gjykatën Themelore Prizren.
Dritan Zhuka shtetas nga Shqipëria, kohë më parë ishte ndaluar në Pikën kufitare Kosovë – Shqipëri, të njëjti më parë i ishte caktuar masa e paraburgimit përderisa të zhvillohej procedura e ekstradimit sipas kërkesës së shtetit të Francës.
Dritan Zhuka, sipas kërkesës së shteti Francez, dyshohet për kryerjen e dy veprave penale; shpëlarje parash, dhe mundësimi i prostitucionit, të dy këto vepra të parapara edhe me Kodin Penal të Republikës së Kosovës.
Në seancën e mbajtur sot para kolegjit të përbërë nga Skender Çoçaj kryetar, dhe gjyqtarët Fidan, Hoxha Gëzim Shehu anëtarë, mbrojtësi i Dritan Zhukës, avokat Asman Hoxha, deklaroi se ”… sot i pranuam të gjitha shkresat ashtu siç edhe e parasheh ligji, pasi që më parë në seanca te kaluara nuk kemi qenë të pajisur me të gjitha provat dhe shkresat që të mund të shqyrtojmë mundësinë reale për dyshimet dhe për veprat që i ngarkohen të mbrojturit tim ”, më tutje avokati Asman Hoxha theksoi se pas konsultimeve më Dritan Zhukën, dhe pas vlerësimit të kërkesave dhe provave të ofruara, i propozoi kolegjit të gjyqtarëve që të zhvillohet procedura e thjeshtëzuar e ekstradimit.
Dritan Zhuka, i mbështeti fjalët e mbrojtësit të tij duke shtuar se ”… unë nuk e kundërshtoi ekstradimin, pasi që jam i pafajshëm sepse asnjëherë më parë nuk kam qenë në shtetin e Francës, andaj edhe veprat penale për të cilat dyshohem nuk i kam kryer ”.
Prokurori i çështjes Genc Nixha, shkurt theksoi se nuk e kundërshton propozimin e avokatit Hoxha, ndërsa sa i përket shkresave shtoi se as vet prokuroria deri më sot nuk ka qenë e pajisur nga ana e Ministrisë së Drejtësisë, me të gjitha provat.
Kolegji i gjyqtarëve, Skender Çoçaj kryetar Gëzim Shehu dhe Fidan Hoxha anëtarë, konstatuan se Dritan Zhuka do të ekstradohet sipas procedurës së thjeshtëzuar.
Më tutje kryetari i kolegjit Skender Çoçaj theksoi se meqenëse i njëjti është ende vetëm i dyshuar për veprat penale të falsifikimit të parasë dhe mundësimit të prostitucionit, ndaj tij nuk mund të zhvillohet procedure hetimore apo gjyqësore për vepra tjera penale pos veprave të lartcekura.