Gjykimi i Behare Kryeziut, drejtoreshë e shkollës në Prizren. Foto: Kallxo.com

Prizren, dënohet drejtoresha e shkollës

Behare Kryeziu, drejtoreshë e Shkollës ‘Mustafa Bakiu’ në Prizren, sot u dënua me burgim me kusht, në kohëzgjatje prej 6 muajsh.

Por dënimi ndaj saj nuk do të ekzekutohet, nëse e njëjta brenda afatit prej 1 viti nuk kryen ndonjë vepër penale.

Trupi gjykues me kryetare gjyqtaren Ajser Skenderi, dhe anëtarët Artan Sjerani dhe Kymete Kicaj, pas kthimit të rastit në rigjykim, të akuzuaren Behare Kryeziu sërish e shpallen fajtore për veprën penale të falsifikimit të dokumentit zyrtar.

Ndaj këtij vendimi të gjykatës, e akuzuara dhe mbrojtësi i saj kanë të drejtën e ankesës.

Gjykata Themelore në Prizren, edhe më 22 maj të vitit 2018, ndaj të akuzuarës Kryeziu, kishte shpallur aktgjykim dënues, duke e dënuar atë me gjashtë muaj burgim me kusht.

Shkolla ‘Mustafa Bakiu’, Prizren

Por, më pas, më 22 dhjetor 2018, ky rast është kthyer në rigjykim nga Gjykata e Apelit, e cila kishte aprovuar ankesën e mbrojtjes.

Ditën e martë, është mbajtur rigjykimi, i cili është mbajtur gjatë gjithë ditës, dhe po të njëjtën ditë është dhënë edhe fjala përfundimtare.

Behare Kryeziu në muajin mars të vitit 2016 ishte përzgjedhur si kandidatja më e suksesshme si Drejtoreshë e Shkollës ‘Mustafa Bakiu’ në Prizren.

Ndaj saj Prokuroria e Prizrenit, në vitin 2017 kishte ngritur aktakuzë për veprën penale të falsifikim të dokumentit zyrtar.

Drejtoresha Behare Kryeziu është bashkëshortja e zyrtarit të lartë të PDK-së në Prizren, Nijazi Kryeziut.

Nijazi Kryeziu është edhe njëri ndër të akuzuarit në rastin ‘Pronto’, i njëjti gjatë viteve të fundit ka mbajtur disa pozita të ndryshme politike.

Ai në të kaluarën ka qenë Kryesues i Asamblesë Komunale Prizren, ndërsa më vonë edhe Drejtor i Urbanizmit në Komunën e Prizrenit.

Së fundmi Nijazi Kryeziu para se të ngritej aktakuza ndaj tij në rastin ‘Pronto’, ka qenë këshilltar i kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli.

Gjykimi i Behare Kryeziut, drejtoreshë e shkollës në Prizren. Foto: Kallxo.com

Sipas aktakuzës, Behare Kryeziu, në cilësinë e personit zyrtar si drejtoreshë e shkollës, në dokument zyrtar ka shënuar të dhënat e rreme e pastaj e kishte nënshkruar dhe vulosur atë dokument me vulë të shkollës.

Prokuroria thotë se ajo në periudhën shkurt, mars 2017, ka lëshuar vërtetimin se S.A., në shkollën ku e akuzuara është drejtoreshë kishte bërë zëvendësimin e edukatores gjatë pushimit të saj për 6 muaj.

Këtë vërtetim dëshmitarja S.A., po atë ditë e kishte dorëzuar në Drejtorinë e Kulturës dhe Arsimit në Prizren, lidhur me një konkurs të shpallur për vend pune.