Prishtinë, Prokuroria Themelore takohet me Policinë

Arrestet dhe ekzekutimi efikas i tyre, koordinimi i plotë mes prokurorëve dhe zyrtarëve policor për rastet gjatë kujdestarisë, rastet e dhunës në familje, dhe trajtimi i tyre me urgjencë, çështja e cilësisë së kallëzimeve penale, rastet penale të kryerësve madhor dhe atyre të mitur, sekuestrimet dhe shkatërrimet e armëve ishin çështjet kryesore të diskutimit mes Prokurorisë Themelore dhe Policiaë së Kosovës.

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Imer Beka, ka realizuar takim të përbashkët mes prokurorëve (përgjegjës të departamenteve) me komandantët dhe shefat e sektorit të hetimeve në Policinë e Kosovës- në Prishtinë.

“Takimi kishte për qëllim diskutimin e çështjeve të ndryshme nga praktika aktuale, me qëllim të ngritjes së vazhdueshme të bashkëpunimit dhe koordinimit mes Prokurorisë Themelore në Prishtinë dhe Policisë së Kosovës – regjioni i Prishtinës”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtine, ka theksuar rëndësinë e takimeve të tilla në drejtim të koordinimit dhe bashkëpunimit efikas mes zyrtarëve nga Policia e Kosovës dhe atyre nga Prokuroria, në drejtim të luftimit dhe parandalimit të dukurive negative.

“Në këtë pikë, kryeprokurori vlerësoi këtë praktikë të krijuar, duke konstatuar si një nga format më të mira për tejkalimin e vështirësive që hasen në bashkëpunimin reciprok, duke shprehur bindjen se takimet e kësaj natyre do të japin rezultate konkrete”, thuhet tutje në njoftim.

Takimi vazhdoi me diskutimet e hapura për çështjet me interes të përbashkët, në drejtim të eliminimit të problemeve praktike dhe unifikimit të praktikave për çështje të caktuara.

Pjesëmarrësit në këtë takim vlerësuan lartë bashkëpunimin që ekziston në mes Prokurorisë Themelore në Prishtinë dhe Policisë së Kosovës, si dhe u pajtuan që të vazhdohet me takimet e këtij formati.